Një person ka mbetur i plagosur mbrëmjen e sotme në fshatin Miradi e Epërme, në komunën e Fushë Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka bërë të ditur se rreth orës 21:00 policia ka pranuar informatën për një plagosje në këtë fshat.
Sipas tij, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku nga informacionet fillestare rezulton se një person është plagosur, dyshohet me armë zjarri.
“I lënduari është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa njësitet policore janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit”, ka deklaruar Pllana.
Policia nuk ka dhënë ende detaje shtesë lidhur me identitetin e të lënduarit apo të personave të dyshuar, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim./rtk


























