Më 1 gusht ka hyrë në fuqi rregullorja e re për bankat komerciale në Kosovë, ku këto të fundit duhet të ofrojnë xhirollogari me shërbime bazike pa pagesë ose me kosto minimale që nuk kalon 0.54 centë për muaj për qytetarët.
Sipas BQK-së, klientët ekzistues kanë të drejtë të konvertojnë llogarinë aktuale të tyre në xhirollogari pagese me shërbime bazike.
“Konsumatorët ekzistues të cilët posedojnë llogari pagese, me kërkesë, kanë të drejtë të konvertojnë llogarinë e tyre në llogari pagese me shërbime bazike nëse plotësojnë kushtet e parapara sipas rregullores”, thuhet në rregullore.

Tarifa për mirëmbajtjen e llogarisë nuk duhet të jetë më e lartë se 0.12 për qind e vlerës së pagës mesatare neto në vend.
“Bankat mund të përcaktojnë tarifa më të ulëta (ose edhe të ofrojnë këto shërbime krejtësisht pa pagesë), por në asnjë mënyrë nuk mund të përcaktojnë tarifë më të lartë se 0.12 për qind e vlerës së pagës mesatare neto mujore në Republikën e Kosovës, e publikuar së fundmi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës”, vijon rregullorja.
“Konsumatorëve, banka nuk ka të drejtë që qasjen në një llogari pagese me shërbime bazike, t’ua kushtëzoj me blerjen e shërbimeve shtesë”, tregon BQK-ja.

Në shërbimet e listuara brenda rregullores theksohet se bankat në formë të njëjtë do t’u ofrojnë këto shërbime për klientët që mbajnë llogari pagese.
Llogaria e pagesës me shërbimet bazike u mundëson klientëve hapjen, mirëmbajtjen dhe mbylljen një xhirollogarie pagese; shërbime që mundësojnë deponimin e fondeve në llogari pagese; shërbime që lejojnë tërheqjen e parave nga llogaria e pagesës; ekzekutimi i transaksioneve të pagesave; debitimi direkt; transaksionet e pagesave përmes një kartele, përfshirë pagesat në internet; transferet e kreditit brenda bankës, duke përfshirë urdhëresat automatike, aty ku është e mundur në bankomatë (ATM) dhe në sportelet e bankës ose përmes platformave online.



























