Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka reaguar pasi, sipas saj, në konkursin e fundit për punësimin e 400 pjesëtarëve të rinj në Shërbimin e Zjarrfikësve nuk është punësuar asnjë shqiptar nga Presheva dhe Bujanoci, përcjell KosovaPost.
“Nga Komuna e Preshevës 2 zjarrfikës, nga ajo e Bujanocës 3, por asnjëri prej tyre shqiptar. Ky është konkursi i disatë me radhë nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në të cilin kandidatët shqiptarë shpërfillen totalisht”, ka shkruar Sinani.
Ajo ka vlerësuar se kjo përbën shkelje të të drejtave të pakicave dhe të drejtave të njeriut.
“Kjo përveç se është shkelje e të drejtave të pakicave, para së gjithash është shkelje e të drejtave të njeriut, duke marrë parasysh se është në vazhdën e konkurseve për polic. Dhe jo vetëm kaq, por në çdo institucion shtetëror, punësimi dhe integrimi i shqiptarëve në to është çështje e harruar nga Serbia”, ka shkruar Sinani.
E para e Komunës së Preshevës ka theksuar se situata është alarmuese, pasi po ndodh në dy komuna të banuara me shumicë shqiptare.


























