Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka komentuar deklaratën e fundit të homologut të saj francez, Emmanuel Macron i cili tha se mund të ketë rishikim të politikave të vizave.
Osmani tha se kjo do të ishte mënyra më efektive për ta vrarë dialogun.
“Unë do të thoja që kjo do të ishte mënyra më efektive për ta vrarë dialogun njëherë e përgjithmonë. Nëse dikush dëshiron që të mos ketë më dialog atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës e jo ndaj ndonjë lideri”, tha Osmani.
Presidentja theksoi se një ndëshkim i tillë i pa precedent do të rezultojë me vdekjen e dialogut.
Megjithatë, Osmani theksoi se nuk beson që do të arrijë deri këtu, pasi që sipas saj Kosova e ka merituar shumë vite më parë liberalizimin.
“Sepse atëherë askush nuk ka më mandat në Kosovë që të shkojë në Bruksel kur populli ndëshkohet në aso mënyre. Unë besoj që nuk do të arrijmë deri aty, Kosova i ka plotësuar e stërplotësuar kriteret, dhe ky është proces që Kosova e ka merituar nuk na është dhënë dhuratë”, u shpreh presidentja Osmani.


























