Kuvendi i Kosovës do ta vazhdojë sot, në orën 10:00, seancën konstituive, me pikën e rendit të ditës për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
Seanca ishte ndërprerë pasi deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës e lëshuan sallën, duke kërkuar që fillimisht të zgjidhej nënkryetari nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Më herët, edhe deputetët e PDK-së e kishin lëshuar sallën, pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk e votuan kandidaten e kësaj partie për nënkryetare, Vlora Çitaku.
Paraprakisht, me 101 vota për, Ardian Gola i LVV-së ishte zgjedhur nënkryetar i Kuvendit.
Për nënkryetarë janë propozuar Vlora Çitaku nga PDK-ja dhe Kujtim Shala nga LDK-ja, ndërsa Emilja Rexhepi dhe Sllavko Simiq janë kandidatët nga komunitetet joshumicë.
Në prag të vazhdimit të seancës, Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme dhe ka vendosur që deputetët e saj t’i votojnë Çitakun dhe Shalën.
“Presim që pas konstituimit të Kuvendit ky hap i vullnetit të mirë të reflektojë në konstruktivitetin e tyre, duke votuar për president, qoftë ajo edhe votë kundër”, thuhet në njoftimin e LVV-së.
Vetëvendosje po ashtu ka bërë të ditur se do ta votojë Çitakun nëse PDK-ja e ripropozon atë në seancën e sotme.


























