Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përshëndetur aksionin e institucioneve të sigurisë që çoi në arrestimin e katër personave dhe sekuestrimin e rreth 60 kilogramëve substancë narkotike, marihuanë, përcjell KosovaPost.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla theksoi se lufta ndaj narkotikëve mbetet e pakompromis në funksion të garantimit të sigurisë publike, mbrojtjes së të rinjve dhe ruajtjes së një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët.
Ai vlerësoi punën e Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe AKI-së, duke e cilësuar operacionin si dëshmi të profesionalizmit, përkushtimit dhe vendosmërisë së institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar dhe rrjeteve të trafikimit të narkotikëve.
“Bashkëpunimi i ngushtë ndërinstitucional mbetet kyç për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, duke forcuar sigurinë e qytetarëve dhe rendin në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Sveçla.

























