Turqia tha të dielën vonë se sulmet e fundit të Izraelit në Gaza kanë treguar edhe një herë se qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu nuk ka ndërmend të bëjë paqe me palestinezët, transmeton Anadolu.
“Objektivi i vetëm i Netanyahut është të zhvendosë palestinezët nga atdheu i tyre dhe të parandalojë vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha Ministria e Jashtme në një deklaratë në faqen e saj zyrtare.
Gjithashtu në deklaratën e ministrisë thuhet se Netanyahu vazhdon të ndërmarrë hapa që minojnë ekuilibrin e brishtë rajonal dhe sabotojnë përpjekjet e ndërmjetësimit të udhëhequra nga vendet, veçanërisht nga SHBA-ja.
“Është bërë e domosdoshme për komunitetin ndërkombëtar që të marrë një qëndrim më të vendosur, konsistent dhe më të fortë kundër qasjes ekspansioniste dhe militariste të Netanyahut, i cili synon ta kthejë të gjithë Lindjen e Mesme në një zonë konflikti”, thuhet në deklaratë.
Duke u bërë thirrje të gjitha vendeve që mbështesin paqen dhe prosperitetin për Palestinën dhe rajonin më gjerë, ministria i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të veprojë me një ndjenjë të përbashkët përgjegjësie dhe të mbështesë ligjin ndërkombëtar dhe vlerat humanitare.


























