Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka falënderuar organizatorët e “Marshit për Liri” dhe qytetarët që sot dolën në Prishtinë për të shprehur, siç tha ajo, paqësisht dhe me dinjitet një qëndrim të qartë për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Haxhiu ka thënë se lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë për çlirim, e cila erdhi pas viteve të shtypjes dhe dhunës nga regjimi serb.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë për çlirim. Ajo erdhi pas viteve të shtypjes dhe dhunës së një regjimi që përdori gjithë aparatin e vet shtetëror kundër shqiptarëve në Kosovë”, ka shkruar Haxhiu.
Sipas saj, marshi i sotëm dëshmoi se ky qëndrim mund të shprehet fuqishëm, duke ruajtur njëkohësisht qetësinë dhe dinjitetin.
“Kështu i bëhet nder sakrificës së atyre që luftuan dhe Republikës që u ndërtua mbi atë sakrificë”, ka thënë u.d. Presidentes Haxhiu.


























