Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF) i bëri thirrje Izraelit “të distancohet nga përdorimi i dhunës kundër fëmijëve dhe t’i japë fund menjëherë dhunës së armatosur” në qytetin Jenin që ndodhet në territoret palestineze nën pushtim, transmeton Kosova Post.
Në një deklaratë me shkrim nga drejtoresha e UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Adele Khodr, thuhet se UNICEF-i ka shqetësim të thellë nga ngjarjet e dhunës në rritje kohët e fundit në Jenin.
“Të gjitha palëve u bëhet thirrje për mbrojtjen e të drejtës së jetës së fëmijëve, të distancohen nga përdorimi i dhunës kundër fëmijëve dhe të ndalin menjëherë dhunën e armatosur”, thuhet në deklaratë.
UNICEF-i njoftoi se në sulmet ku humbin jetën edhe fëmijët, janë plagosur shumë persona, qindra familje janë zhvendosur dhe se ka patur ndërprerje në shërbimet e ujit dhe energjisë elektrike në kampet e refugjatëve.
Viti 2023 deri më tani është viti më vdekjeprurës për fëmijët palestinezë
UNICEF-i ka deklaruar se që nga fillimi i vitit janë vrarë 33 fëmijë, 27 prej të cilëve palestinezë dhe 6 izraelitë si pasojë e ngjarjeve të dhunës në rritje kryesisht në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor të pushtuar.
Tërhiqet vëmendja se kjo shifër është më e lartë se humbjet e jetëve në vitin 2022, i cili për fëmijët në Bregun Perëndimor që ndodhet nën pushtim u konsiderua si “viti më vdekjeprurës” që nga viti 2004.
Në rrethimin e Izraelit në Jenin humbën jetën 12 palestinezë, 4 prej të cilëve fëmijë
Ushtria izraelite më 3 korrik bastisi dhe rrethoi kampin e refugjatëve “Jenin” në qytetin Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Në sulmet e ashpra të forcave izraelite që vazhduan për rreth 48 orë nga ajri dhe toka, u vranë 12 palestinezë, 4 prej të cilëve fëmijë ndërsa u plagosën 120 persona të tjerë 20 prej të cilëve rëndë.
Njësitë e ushtrisë izraelite mbrëmë filluan të largohen nga kampi i refugjatëve në Jenin.


























