Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për media rreth çështjes së librave dhe seancës së jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, por e cila nuk u mbajt për shkak se nuk kishte kuorum.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, ka deklaruar para mediave se ende s’ka epilog të qartë mbi procesin e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore, derisa deklarimet e opozitës se Qeveria ka dështuar në këtë proces i quajti të papranueshme.
Sipas Golës, ky proces i teksteve shkollore nuk është i pazakontë, e shtoi se kjo do të diskutohet në Kuvendin e Kosovës.
“Qysh në fillim kemi një qasje që për ne është e papranueshme që në thirrjen e opozitës është thënë që ka dështuar Qeveria, kur ende është në proces i gjithë furnizimi me tekstet shkollore. Nuk e kemi ende një epilog të procesit, që ne nuk besojmë se ka diçka të pazakontë. Kjo çështje do të diskutohet në Kuvend pasi që të kemi një epilog”, ka deklaruar deputeti i pushtetit.
Gola si kryesues i Komisionit për Arsim, ka thënë se fillimi i vitit shkollor ka qenë i rregullt e se vendimi për librat ka eliminuar praktikat korruptuese.
Ai ka thënë se VV-ja e ka bojkotuar seancën e jashtëzakonshme për librat sepse ajo ka qenë politike dhe ka pasur tendencë që t’ua prishë disponimin nxënësve.
Sipas tij, duhet të priten të dhënat e sakta për të diskutuar rreth këtij vendimi.
Ndërsa, deputetja Arijeta Rexhepi ka shtuar se 18 shkolla ende s’e ka nisur procesin mësimor.
Sipas saj, procesi mësimor në këto shkolla nuk ka dështuar për shkak të mungesave se librave, por për shkak të renovimeve, ku sipas saj kjo ka ndodhur më komunat që udhëhiqen nga opozita.
“Nga MASHT na kanë njoftuar se në 18 shkolla nuk ka filluar procesi mësimor, jo për shkak të mungesës së librave por për shkak të infrastrukturës. Kjo ka ndodhur në ato komuna ku qeverisë opozita edhe nuk ka filluar procesi mësimor, pra ato nuk kanë filluar në komunën e Prishtinës, Prizrenit dhe Mitrovicës”.


























