Ministrja në detyrë e Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave janë nënshkruar memorandume në vlerë prej 27 milionë e 430 mijë eurosh për Projektin e Banimit Social Adekuat në 14 komuna të Kosovës, përcjell KosovaPost.
Sipas saj, marrëveshjet janë gati edhe për shtatë komuna të tjera, me të cilat pritet të nënshkruhen në ditët në vijim.
Ministrja ka theksuar se investimet synojnë të adresojnë nevojat e familjeve që përballen me kushte të vështira ekonomike.
“Me këto investime, po ndërhyjmë aty ku nevoja është më e madhe, duke mundësuar ndërtimin e banesave sociale, ndërtimin, renovimin dhe rindërtimin e shtëpive për familjet që përballen me kushte të vështira ekonomike”, ka shkruar ajo.
Projekti synon përmirësimin e kushteve të banimit për familjet në nevojë përmes ndërtimit të banesave sociale dhe ndërhyrjeve në shtëpitë ekzistuese.


























