Abdixhiku deklaroi se LDK-ja është e gatshme të heqë dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në institucionet e vendit, duke theksuar se qëllimi është shmangia e çdo pengese në procesin e zgjidhjes.
“Për ta çliruar procesin nga çdo alibi dhe për t’i hapur rrugë zgjidhjes në interes shtetëror, LDK-ja tërhiqet nga çdo kërkesë për pozita dhe merr përsipër të kontribuojë pa asnjë përfitim politik në shmangien e krizës aktuale”, tha Abdixhiku.
Ai bëri të ditur se partia nuk do të kërkojë asnjë ministri në qeveri.
“LDK-ja heq dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri. S’e duam asnjë ministri, le t’i mbajë të gjitha VV-ja”, u shpreh ai.
Kreu i LDK-së konfirmoi gjithashtu se partia e tij po heq dorë nga kërkesa për postin e kryetarit të Kuvendit dhe, në një nga deklaratat më të rëndësishme, edhe nga kërkesa për udhëheqjen e presidencës.
“Hiqim dorë nga kërkesa për kryetar të Kuvendit dhe më e rëndësishmja edhe nga kërkesa për ta udhëhequr postin e presidentit”, deklaroi Abdixhiku.


























