Shkruan: Agim Vuniqi
Rasti i njohur si “53-milionëshi”, i cili kulmoi me dënimin e ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj me 3 vjet e 8 muaj burgim efektiv, shpërfaq hapur krizën e thellë të besimit dhe amullinë ku ndodhet sistemi i drejtësisë në Kosovë. Kur një dëm kaq masiv ndaj buxhetit të shtetit ndëshkohet me një dënim që i ngjan më shumë një mase disiplinore sesa një penaliteti të rëndë ligjor, pyetja që lind natyrshëm nuk është nëse “u dënua pak”, por: A po shërbejnë gjykatat tona si mbrojtëse të pasurisë publike, apo si rregullatore të kompromisave politiko-ligjorë?
Ky rast nuk është thjesht një dështim individual, por një pasqyrë e qartë e asaj që quhet “drejtësi selektive dhe anemike”. Ndërsa një qytetar i thjeshtë mund të përballet me vite burgim për vepra të vogla apo dëme minimale, zyrtarët e lartë të akuzuar për avullimin e miliona eurove të taksapaguesve gjejnë strehë në labirintet e pafundme të zvarritjeve procedurale. Kthimi i rastit në rigjykim nga Gykata e Apelit vetëm për të përsëritur sërish të njëjtin dënim muaj më pas, tregon një mungesë efikasiteti që i dërgon sinjalin më të gabuar shoqërisë: korrupsioni i nivelit të lartë nuk kushton shtrenjtë.
Nëse kjo skenë do të luhej në skenën e një shteti ligjor të konsoliduar, skenari do të ishte krejtësisht ndryshe. Në vende me traditë të fortë të sundimit të ligjit, si në SHBA apo në shtetet e Evropës Perëndimore, keqpërdorimet e këtyre përmasave trajtohen si sulme direkte ndaj sigurisë ekonomike të shtetit.
Për plasjen e një fllaske të tillë prej 53 milionë eurosh, dallimet janë drastike:
Ashpërsia e dënimit: Në vend të 3 vjetëve ku i dënuari mund të lirohet me kusht pas një periudhe edhe më të shkurtër, dënimet federale në SHBA për mashtrime të këtyre përmasave shkojnë lehtësisht nga 10 deri në mbi 20 vite burgim efektiv.
Konfiskimi i pasurisë: Në Kosovë, fokusi mbetet te dënimi me muaj apo vite, ndërsa në shtetet e konsoliduara fokusi kryesor është paraja. Çdo pronë, llogari bankare dhe aset i dyshimtë i zyrtarit dëshmohet dhe konfiskohet automatikisht për të kthyer dëmin në arkën e shtetit. Pa konfiskim agresiv, burgu shndërrohet në një “sakrificë kohore” të përballueshme për të siguruar pasuri marramendëse.
Ndalimi i përjetshëm: Masa plotësuese prej 3 vjet e gjysmë ndalim i ushtrimit të funksionit publik duket qesharake. Në një sistem të shëndoshë, kushdo që abuzon me besimin e popullit përjashtohet përjetësisht nga çdo lloj pozite publike apo administrative.
Ky realitet ligjor në Kosovë dëshmon se Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial ende nuk po arrijnë të shkëputen nga ndikimet e jashtme apo nga mentaliteti i dënimeve minimale. Për sa kohë që kostoja e vjedhjes së miliona eurove mbetet vetëm pak vite burgim pa një konfiskim të dhimbshëm e total të pasurisë, sistemi ynë juridik nuk do të arrijë të krijojë efektin parandalues. Përkundrazi, ai po krijon një ambient ku krimi ekonomik i jepet llogari si një rrezik i kalkulueshëm i biznesit politik. Kosova nuk ka nevojë për drejtësi kozmetike sa për të përmbushur statistikat; ka nevojë për ligj që godet aty ku dhemb më së shumti: te liria e gjatë dhe te xhepi i korruptuar.


























