Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka dënuar sulmin ndaj shtëpisë së familjes Berisha në Zveçan, duke thënë se akte të tilla nuk do ta ndalin kthimin e qytetarëve në pronat e tyre në veri, përcjell Kosova Post.
Pacolli ka thënë se sulmi synon të krijojë frikë dhe pasiguri te familjet shqiptare që po rikthehen në shtëpitë e tyre.
“Asnjë akt barbar nuk do ta ndalë kthimin e qytetarëve në shtëpitë e tyre në veri”, ka thënë Pacolli.
Ajo ka bërë të ditur se familja Berisha është përfituese e projektit të Qeverisë së Kosovës për rindërtimin dhe renovimin e shtëpive.
“Sulme të tilla janë përpjekje për të penguar zbatimin e politikave shtetërore që garantojnë të drejtën e qytetarëve për t’u kthyer dhe jetuar në pronat e tyre”, ka deklaruar Pacolli.
Ministrja në detyrë ka theksuar se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të vazhdojë realizimin e këtij programi në çdo pjesë të Kosovës.
“Këto sulme qyqare nuk do të ndalin as kthimin e familjeve dhe as zbatimin e projektit”, ka shkruar ajo.
Pacolli ka ftuar organet kompetente që ta zbardhin sa më shpejt rastin dhe autorët e sulmit të përballen me drejtësinë.


























