Në Bruksel, më 6 tetor, pritet të prezantohet strategjia e re e Bashkimit Evropian për përshpejtimin e zgjerimit, me Shqipërinë në mesin e katër vendeve për të cilat po përgatitet një udhërrëfyes i posaçëm drejt anëtarësimit.
Krahas Shqipërisë, në këtë grup janë Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia. Për këto vende po hartohen plane me reforma konkrete, hapa dhe afate orientuese për përfundimin e negociatave.
Sipas dy zyrtarëve të lartë të Komisionit Evropian, të cituar nga POLITICO, puna për këta udhërrëfyes ka nisur dhe synimi është përshpejtimi i një procesi që ka zgjatur prej dekadash.
Në draftin e strategjisë, BE-ja e cilëson zgjerimin si një “domosdoshmëri gjeopolitike”, ndërsa kërkon që vendet kandidate të përmbushin reforma të thella dhe të qëndrueshme.
“Vendet kandidate duhet të përfundojnë një proces rigoroz, të bazuar në merita, dhe të zbatojnë reforma të thella dhe të qëndrueshme. Kjo kohë duhet të shfrytëzohet plotësisht në mënyrë strategjike, si për të përgatitur Bashkimin për një anëtarësim më të gjerë, ashtu edhe për të thelluar integrimin gradual në fushat me interes të përbashkët”.
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, për Politiko thotë së shpreson që ndryshimet e propozuara dhe bisedimet me liderët evropianë të sjellin një “vjeshtë të zgjerimit”.
“Në fillim të këtij muaji shpresoj që ndryshimet e propozuara dhe bisedimet me liderët do të krijojnë një ‘vjeshtë të zgjerimit’, pas vitesh përparimi më të ngadaltë”, ka thënë ajo.
Më 15 tetor, liderët e BE-së do të mblidhen në Bruksel për të diskutuar zgjerimin dhe reformat e brendshme të Unionit.


























