Eugen Cakollli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka theksuar se as sot e as nesër, nuk është dita e fundit kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit. Ai ka thënë se afati 60-ditor për këtë proces aktivizohet vetëm ditën pas konstituimit të Kuvendit.
Sipas tij, i vetmi afat që po shkon deri në fund është ai për konstituimin e Kuvendit, i cili siç ka thënë Cakolli, përfundon nesër, në orën 23:59.
“Edhe pse kërkesa për kohë shtesë dhe ndërprerja e seancës nuk përbën shkelje procedurale, të njëjtat nuk e pezullojnë dhe as nuk e zgjasin afatin kushtetues brenda të cilit Kuvendi duhet të konstituohet”, ka shkruar Cakolli në një postim në Facebook.
Ai ka deklaruar se pa u përmbyllur konstituimi, procedura për zgjedhjen e Presidentit nuk fillon fare.
“Pas konstituimit, partitë do t’i kenë të plota 60 ditë për diskutime, marrëveshje dhe zgjedhjen e Presidentit. Prandaj, e pakuptimtë të kërkohet “kohë shtesë për Presidentin” duke e shtyrë pikërisht procesin që e aktivizon atë kohë”, ka shkruar Cakolli.


























