Në një analizë të publikuar në Facebook, drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka vënë në dukje se strategjia hibride e Serbisë projekton në mënyrë paralele viktimizim dhe heroizëm, duke synuar në të njëjtën kohë manipulimin e opinionit dhe mobilizimin nacionalist, përcjell KosovaPost.
Sipas tij, kjo strategji ndërthur kornizime vajtuese dhe triumfaliste, përmes të cilave veprimet e Kosovës paraqiten si represion ndaj serbëve, ndërsa individët e dyshuar për krime lufte heroizohen dhe masat ndaj strukturave ilegale interpretohen si sulme ndaj të gjithë komunitetit serb.
Duke analizuar raportimet e mediave serbe brenda vetëm një dite, ku ndërtimi i rrugës që lidh Kosovën me Malin e Zi është kornizuar si “qëllim për fshirjen e historisë dhe popullit serb”, guidat turistike të Ministrisë së Kulturës si “plan për shuarjen përfundimtare të identitetit serb”, arrestimet e të dyshuarve për krime lufte si “vazhdim i spastrimit etnik” të serbëve, një betejë e shekullit XIX-të në Mal të Zi si “vazhdim i Betejës së Kosovës”, ndonëse me 487 vjet distancë kohore, ai thotë se kjo skemë narrative përsëritet çdo ditë, me intensitet dhe tonalitet që varion nga dinamika e proceseve të brendshme dhe ndërkombëtare. “Ndonjëherë ‘bombardohet’ më shumë (sipas modelit rus) me mohim e relativizim, si në rastet e përvjetorëve të Masakrës së Reçakut apo të Gjenocidit në Srebrenicë, herë të tjera me “besëlidhje” e “patriotizëm”, si në rastet e Vidovdanit, Krishtlindjes apo Vitit të Ri Ortodoks, duke mos i lënë anash edhe fushatat linçuese ndaj “tradhëtarëve” apo arrestimet e atyre që tregojnë për krimet e Serbisë”, thekson Fetoshi. Sipas tij, të gjitha së bashku ravijëzojnë strategjinë hibride që synon dështimin e Kosovës, si një parakusht për projektin e ‘Botës Serbe’”, duke paralajmëruar se rrethanat e reja gjeopolitike nuk e bëjnë të pamundur riciklimin e traumave dhe tragjedive të së kaluarës.
Pas këtyre kornizimeve, ai identifikon katër objektiva kryesorë: demonizimin e Kosovës, mohimin e krimeve, mobilizimin nacionalist dhe ndërkombëtarizimin e narrativës së “persekutimit” të serbëve.
Këto objektiva, thotë drejtori i “Octopus”, kanë për qëllim që çdo veprim të institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit, drejtësinë dhe ushtrimin e sovranitetit ta paraqesin si represion etnik, kërcënim fetar ose diskriminim, në mënyrë që një perceptim i tillë të depërtojë edhe në opinionin ndërkombëtar dhe të pengojë konsolidimin e Kosovës.
Megjithatë, sipas tij, problemi sot është më kompleks për shkak të transformimit të mjedisit informativ nga teknologjitë digjitale.
Fetoshi argumenton se zhvendosja e audiencës në platformat online, politika algoritmike, llogaritë e rrejshme, efekti i jehonës dhe viraliteti kanë krijuar kushte më të favorshme për manipulimin e opinionit, derisa Inteligjenca Artificiale e ka zvogëluar ndjeshëm koston dhe kohën e nevojshme për fabrikimin e teksteve, audiove dhe videove, duke e bërë më të vështirë dallimin ndërmjet faktit dhe manipulimit.
Duke iu referuar Konceptit Strategjik të NATO-s të vitit 2022 dhe literaturës më të re mbi kërcënimet hibride, ai thekson se hapësira informative është shndërruar në një prej fushëbetejave kryesore të rivalitetit gjeopolitik, ndërsa ndikimi mbi përceptimin është bërë po aq i rëndësishëm sa kapacitetet ushtarake.
Sipas Fetoshit, pikërisht këtu qëndron rreziku i interpretimeve që në shikim të parë mund të duken absurde: mjedisi digjital ka mundësuar shumëfishim e përsëritje pa fund, duke krijuar disproporcion të madh në raportin ndërmjet dezinformimit dhe të vërtetës.
“Një fakt historik, dokument apo vendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocidin nuk zhbëhet, por në hapësirën digjitale ai përballet çdo ditë me shumëfishin e përmbajtjeve që e mohojnë apo rikornizojnë atë”, thekson Fetoshi.
Për këtë arsye, ai konsideron se e vërteta nuk mund të mbrohet më vetëm me ripublikimin e fakteve, por kërkon ridokumentim të vazhdueshëm dhe proporcional me intensitetin e luftës narrative.
Sipas tij, përgjigjja ndaj kërcënimeve të tilla kërkon kapacitete të koordinuara kundër “kapjes epistemike”, komunikim strategjik dhe investime afatgjata në edukimin medial të brezave. “Vetëm duke zhvilluar mekanizma mbrojtës ndaj së vërtetës, mund të garantohet qëndrueshmëria demokratike dhe të evitohen grackat e manipulimit në epokën e luftës hibride”, përfundon Fetoshi.


























