Fetoshi: Uji si armë në strategjinë hibride të Serbisë

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka folur për kërcënimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me lumin Ibër, duke e cilësuar ujin si pjesë të strategjisë hibride të Serbisë, përcjell KosovaPost.

“Një deklaratë me elemente fashiste që përbën një tjetër kërcënim të drejtpërdrejt ndaj Kosovës. Vuçiq e zbuloi planin për “mbrojtjen e serbëve”, duke përdorur ujin si instrument presioni: Do ta ndryshojmë rrjedhën e Ibrit, pastaj të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët” (RT Balkan, 09.08.2026). Ndërlidhja e këtij “plani” me pretendimin për “keqtrajtim” të serbëve, nuk është thjesht retorikë për konsum të brendshëm, por një agravim i mëtejshëm i strategjisë hibride kundër Kosovës, që konfirmon në mënyrë indirekte përgjegjësinë për sabotazhin në kanalin e Ibër-Lepencit (2024). Pas dështimit të sulmit që kishte projektuar destabilizim, për shkak të potencialit të pasojave në furnizimin me ujë (komunat në veri, Mitrovicë, Vushtrri, Prishtinë, Drenas, Fushë Kosovë, Obiliq) dhe energji (termocentralet në Obiliq), Vuçiq po dëshmon se nuk kanë hequr dorë nga përdorimi i resurseve natyrore në arsenalin kundër Kosovës”, ka shkuar Fetoshi në facebook.

Sipas tij, përtej kufizimeve ndërkombëtare që nuk e lejojnë një gjë të tillë (Konventa e UNECE-së për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Rrjedhave Ujore Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare, 1992), impaktit që do të kishte për qytetarët serbë në veri dhe vlerësimit amerikan që e trajton Ujmanin si çështje të sigurisë rajonale (Pacific Northwest National Laboratory, Water Resource Opportunities at Lake Gazivode/Ujmani, 14.04.2021), kërcënimi presidencial dhe ndërlidhja me fabrikimin e “keqtrajtimit” reflekton avancimin e “viktimizimit” në fazën e presionit për “Botën Serbe”.

“Ndryshimi i qëndrimit të Vuçiqit nga “ekziston ideja por unë jam kundër” (Danas, 01.12.2024), në “jemi duke mbledhur inxhinierë për të parë si mund ta bëjmë” (RT Balkan, 09.08.2026), e vërteton transformimin e komunikimit strategjik të Serbisë, në përputhje me deklaratat e ministres Paunoviq, “heroizimin” e kriminelëve të luftës dhe arrestimin e një serbi për të cilin dyshojnë se ka dhënë informacione lidhur me varrezat masive. Ideja për devijimin e rrjedhës së Ibrit që “do ta linte Ujmanin pa ujë” kishte qarkulluar edhe më herët në Serbi. Sipas ekspertit Lubisha Mijaçiq, “Serbia ka mundësi teknike të devijimit” dhe ky është një “kërcënim real” (Kosovo Online, 22.11.2025). Nga ana tjetër, profesori spanjoll i gjeografisë, Miguel Borja Bernabe-Crespo e mohon rrezikun, duke theksuar detyrimet që rrjedhin nga regjimi ndërkombëtar i ujërave ndërkufitare (REL, 05.12.2024). Megjithatë, ndikimi i kalkuluar i kërcënimit në kontekstin e “varësisë” së Kosovës nga ky sistem, e shpjegon formulimin e tij hakmarrës drejtuar shqiptarëve, si element i strategjisë për ta paraqitur konfliktin në baza etnike. “Mbrojtja e serbëve” në këtë kontekst bëhet premisa që synon ta legjitimojë kërcënimin”, tha ai.

Ai tha strategjia e “viktimizimit” që ka për qëllim demonizimin e Kosovës të përceptuar si “represive” dhe fajësimin e Perëndimit si “bashkë-përgjegjës”, po e përgatit fazën e avancuar të “të drejtës së Serbisë për reagim”.

“Radikalizimi i diskursit shovinist pas deklaratave të ministres Paunoviq, mbështetjes së saj nga Daçiq dhe “heroizimit” të kriminelëve të luftës e të arrestuarve lidhur me Masakrën e Reçakut, e bën kërcënimin e Ibrit zgjatim të mesazhit të Vuçiqit në ceremoninë përkujtimore të operacionit “Stuhia” se “Serbia është mjaftueshëm e fuqishme për mbrojtjen e serbëve” (Insajder, 04.08.2026). Qëllimi për ta normalizuar gjuhën e dhunës, spastrimin etnik dhe në fund “ndëshkimin” e shqiptarëve, jo vetëm që kalkulon “tolerimin” e mëtejshëm të Serbisë në pozicionin e “dy karrigeve” apo përfitimin e Vuçiqit në planin e brendshëm, por edhe legjitimimin e “Botës Serbe” si kamuflim i projektit të Millosheviqit. Kjo është strategjia hibride e Serbisë në formën e saj të avancuar. Nuk është e domosdoshme ndërhyrja ushtarake, derisa qëllimet minuese mund të arrihen përmes ujit, energjisë, sabotimit, spiunazhit dhe dezinformimit. Në këtë perspektivë, kërcënimi i Ibrit është leva strategjike, ndërsa Ujmani kërcënim ndaj sigurisë kombëtare”, tha ai.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish