Filmi që dërgon represionin serb në Kosovë në garën prestigjioze “Oscars”, “Dua” i Blerta Bashollit, është në shënjestër të mediave serbe, të cilat kanë provuar ta përgënjeshtrojnë rrëfimin kinematografik, duke mohuar krimet dhe gjenocidin serb.
Përveç reagimeve të shumta në rrjete sociale pas nominimit për “Academy Awards”, filmi mori vëmendje edhe te portali serb “Srbija Danas”. Në një artikull të publikuar me titullin “Shqiptarët shfrytëzuan emrin e Dua Lipës për filmin e ri: Serbinë e shpallën pushtuese të Kosovës, ndërsa detajet e shumta i kanë revoltuar njerëzit në rrjetet sociale”, portali provokon opinionin publik duke mohuar krimet serbe në Kosovë.
Sipas tyre, filmi, skenarin e të cilit e kanë shkruar Basholli dhe Nicole Borgeat, provon ta shfaqë “Serbinë si pushtuese të Kosovës”, duke thënë se ky film arrin t’i shfaqë serbët “ekskluzivisht si njerëz të dhunshëm dhe agresorë”.
Portali komenton filmin ende pa e parë atë dhe vetëm duke vlerësuar trailerët e publikuar në platformat sociale. Këtë e bën në një kohë kur “Dua” ende s’ka pasur premierën rajonale.
Nga premiera botërore në Festivalin prestigjioz të Filmit në Kanë të Francës, në maj të këtij viti, filmi u kthye në shtëpi me çmimin për skenar “SACD”, të ndarë nga Java e Kritikës – “Semaine de la Critique”.
Ndërkaq, premierën rajonale do ta ketë ditëve në vijim në edicionin e 32-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë, i cili do të mbahet duke filluar nga nesër e deri më 21 gusht.
Në krejt çka e mbështet artikullin, portali serb janë disa recensione të huaja dhe portale që kanë shkruar rreth filmit.
Madje, idetë nacionaliste serbe, ky portal i mbështet në argumentin se Kosova ka qenë pjesë e Jugosllavisë dhe, sipas kësaj logjike, “nuk mund të pushtohet territori yt”.
Me nëntitullin “Narrativa problematike në rrjetin X: A është i mundur ‘pushtimi’ i territorit tënd?”, portali “Srbija Danas” vazhdon provën e tij argumentuese, duke thënë se: “Në kohën kur zhvillohet ngjarja e filmit (fundi i viteve ’90), Kosova ishte pjesë përbërëse e territorit sovran të Republikës Federale të Jugosllavisë (përkatësisht Serbisë), të njohur ndërkombëtarisht. Prandaj, sipas këtij argumentimi, juridikisht dhe faktikisht nuk është e mundur që një shtet të ‘pushtojë’ territorin e vet”.
Por, përderisa ekipi realizues i filmit po bën përgatitjet e tij për prezantimin e filmit në Sarajevë, ku do të garojnë për çmimin kryesor të festivalit “Zemra e Sarajevës”, bashkë me filmin tjetër kosovar, “Shame and Money”, me skenar dhe regji të Visar Morinës, për ta deklaratat e tilla propaganduese mbeten pa rëndësi dhe ata duan që ta lënë filmin të flasë vetë për realitetin historik të Kosovës.
Zeqiri: Shkrimet e mediave serbe nuk na shqetësojnë, kemi qenë këtu dhe nuk ka propagandë
Drejtuesja e institucionit që i dha dritën jeshile dërgimit të “Duas” në “Oscar”, Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, në një prononcim për RTK-në tha se propaganda serbe i jep edhe më shumë zë filmit që pasqyron historinë e trishtë të vendit.
“Shkrimi i mediave serbe për filmin ‘Dua’ dhe për kinematografinë e Kosovës në përgjithësi neve nuk na shqetëson aspak, përkundrazi, e vlerësojmë që i jep zë edhe më shumë filmit i cili është bërë, e që mund të them me siguri të plotë se nuk është propagandë, sepse ne të gjithë këtu jemi dhe i kemi përjetuar para luftën, luftën e pasluftën”, tha ajo.
Zeqiri tha se kur filmi pati një shfaqje të mbyllur në Kosovë, “e gjithë salla, pa përjashtim, ka dalë e përlotur nga aty, sepse e kanë parë një realitet që asnjëherë më parë nuk e kemi parë në filma”.
“Ne jemi posaçërisht të lumtur që ky film do të na përfaqësojë në garën për ‘Oscars’ sivjet, sepse është një histori që e kemi përjetuar të gjithë. Një film të tillë e kemi pritur me padurim të vijë dhe jemi të lumtur që e kemi më në fund. Shpresojmë që ky do të jetë vetëm fillimi i filmave që e mbajnë temën që na kanë shënjuar e ndërtuar të gjithëve”, vlerësoi ajo.
Bajgora: Përgjigjja më e mirë për pretendimet për propagandë – kritika pozitive ndërkombëtare
Njëri nga producentët e filmit, Valon Bajgora, tha se reagimet për filmin “Dua” kanë qenë të pritshme, duke e ditur faktin se trajton një periudhë të dhimbshme të historisë.
Ai tha se është shumë e qartë që ky film është i bazuar në ngjarje të vërteta, i ndërtuar mbi përvojat reale të mijëra familjeve që kanë jetuar atë periudhë në Kosovë dhe, si i tillë, nuk mund të jetë propagandues.
“Ajo që më duket interesante është se një pjesë e këtyre kritikave kanë ardhur nga njerëz që nuk e kanë parë filmin. Është shumë e vështirë të gjykosh një vepër artistike pa e parë atë”, vlerësoi ai.
“Në anën tjetër, filmi është shfaqur në Festivalin e Kanës, ku fitoi Çmimin për Skenarin më të Mirë, dhe ka marrë një numër jashtëzakonisht të madh kritikash pozitive nga media dhe kritikë ndërkombëtarë. Për mua, kjo është përgjigjja më e mirë ndaj pretendimeve se filmi është propagandë. Kur profesionistë të kinemasë nga e gjithë bota e vlerësojnë filmin si një vepër artistike me vlera universale, kjo flet shumë më tepër sesa çdo sulm që bëhet para se filmi të shihet”, potencoi Bajgora.
Më tej, ai tha se në këtë film historia nuk tregohet përmes politikës apo sloganeve, por përmes syve të një vajze 13-vjeçare, e cila përpiqet të kuptojë botën që po shembet rreth saj.
“Pikërisht ky këndvështrim e bën filmin njerëzor dhe universal”, tha ai.
Bajgora më tej shtoi se, përtej peshës së pjesëmarrjes në “Academy Awards” dhe garës për një çmim prestigjioz, ky është një moment i rëndësishëm për njohjen e një historie njerëzore.
“‘Dua’ nuk është vetëm një film për Kosovën. Është një film për humbjen e pafajësisë, për familjet që jetojnë nën frikë dhe për forcën njerëzore për të mbijetuar. Pikërisht për këtë arsye, historia e tij është universale dhe prek publikun, pavarësisht kombësisë apo vendit nga vjen”, tha ai.
Kosova rikthehet në garën prestigjioze “Academy Awards” pas një periudhe të shkëputjes trevjeçare. Sivjet, nëpërmjet “Dua”-s, pasqyrohet represioni serb parë nga sytë e një 13-vjeçareje, të cilën e jetëson në rol aktorja e re, Pinea Matoshi.
Cënimi i një jete të lirë si adoleshente, ndjekjet nga policia serbe dhe situata politike në Kosovë janë në qendër të këtij filmi, në të cilin luajnë edhe Arben Bajraktaraj, Kaona Matoshi, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Fiona Abdullahu dhe Mila Saviq.


























