Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka marrë pjesë për herë të parë në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, pasi mori detyrën në krye të institucionit. Në hapje të mbledhjes së 299-të të KPK-së, ai theksoi se luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar do të jetë prioritet i mandatit të tij, duke u zotuar se askush nuk do të jetë mbi ligjin dhe se nuk do të ketë imunitet për askënd që bie ndesh me ligjin.
Gashi u bëri thirrje prokurorëve për profesionalizëm, integritet dhe pavarësi në ushtrimin e detyrës, ndërsa premtoi mbështetje të plotë për punën e tyre.
“Gjatë punës sonë do të zhvillojmë hetime më profesionale, më efikase në ndjekjen e korrupsionit, me theks të veçantë të korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të organizuar dhe çdo lloj kriminaliteti. Si Kryeprokuror i Shtetit, do të angazhohem maksimalisht që objektivat që i kam paraqitur t’i zbatoj në përputhje të plotë me Kushtetutën”, tha Gashi.
“Nga këtu dua t’i drejtohem secilit prokuror: Si Kryeprokuror i Shtetit, do të jem i përkushtuar për ta mbështetur secilin nga ju që ushtron detyrën me profesionalizëm, integritet dhe paanshmëri. Zyra ime do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim, me qëllim të tejkalimit të sfidave profesionale. Njëkohësisht, dua të theksoj se puna juaj duhet të mbështetet në aktet kushtetuese, ligjin dhe provat e siguruara në mënyrë të ligjshme, sepse vetëm kështu i shërbejmë drejtësisë”, theksoi ai.


























