Greqi, zjarret përfshijnë Kretën, Parosin dhe Lesbosin, vazhdojnë evakuimet

Greqia po përballet me një valë të fuqishme zjarresh pyjore që kanë përfshirë disa rajone dhe ishuj turistikë, përfshirë Kretën, Parosin dhe Lesbosin, duke detyruar autoritetet të evakuojnë banorë dhe turistë nga zonat e rrezikuara.

 

Në ishullin e Kretës, flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta, duke prekur zona pranë Rethymnos. Zjarret kanë dëmtuar banesa, sipërfaqe bujqësore dhe infrastrukturë, ndërsa ekipet zjarrfikëse vijojnë përpjekjet për izolimin e vatrave aktive.

Edhe në Paros, një zjarr që shpërtheu në afërsi të një grumbullimi mbetjesh u përhap në zonat përreth, duke çuar në evakuimin paraprak të disa vendbanimeve. Autoritetet angazhuan forca tokësore dhe mjete ajrore për të frenuar përhapjen e flakëve, ndërsa shkaqet e zjarrit po hetohen.

Në Lesbos, autoritetet kanë ngritur nivelin e gatishmërisë për shkak të rrezikut të lartë nga zjarret, të favorizuara nga thatësira dhe erërat e forta që po mbizotërojnë në rajon.

Ndërkohë, zjarre të mëdha vazhdojnë edhe në pjesë të tjera të vendit, përfshirë zonën e Porto Germenos pranë Athinës, ku flakët kanë arritur pranë banesave, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke detyruar autoritetet të aktivizojnë alarme emergjente për evakuim. Në operacionet e shuarjes janë angazhuar qindra zjarrfikës, avionë dhe helikopterë.

Sipas autoriteteve greke, kushtet ekstreme të motit – temperaturat e larta, thatësira e zgjatur dhe erërat e fuqishme – vazhdojnë të favorizojnë përhapjen e zjarreve, ndërsa rreziku mbetet i lartë në disa rajone të vendit. Banorëve dhe turistëve u është bërë thirrje të ndjekin udhëzimet e mbrojtjes civile dhe të largohen menjëherë nga zonat për të cilat lëshohen urdhra evakuimi.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish