Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se PDK-ja do të marrë pjesë në seancën konstituive të Kuvendit për të mbrojtur Kushtetutën e Kosovës.
Në një konferencë për media para fillimit të seancës, Gruda e ka cilësuar absurd vendimin për thirrjen e seancës një ditë pas përfundimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
Sipas tij, dispozitat kushtetuese janë të qarta dhe nuk duhet të interpretohen në mënyrë që, siç tha ai, të krijohet hapësirë për shkelje të tyre.
“Pushteti mbi Kushtetutën, qytetarët duhet ta dinë se kjo shkelje e prek edhe jetën e tyre. Moment absurd, dispozita është e qartë, por po interpretohet se qenka konfuze. Pushteti ka dalë totalisht jashtë binarëve. Ne si PDK jemi këtu për ta mbrojtur Kushtetutën e Kosovës, prandaj kemi ardhur në seancë”, ka deklaruar Gruda.

























