Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, pranoi sot letrat kredenciale të ambasadorit të Australisë në Kroaci, me akreditim jorezident në Republikën e Kosovës, Glenn Robert Morrison.
Sipas njoftimit nga Presidenca, Haxhiu i uroi ambasadorit Morrison mirëseardhje në Kosovë dhe suksese në detyrën e re, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Australia i ka dhënë Kosovës gjatë luftës, për njohjen e hershme të pavarësisë dhe për përkrahjen e vazhdueshme në vitet që pasuan.
“E çmojmë lart mbështetjen që Australia i ka dhënë Kosovës në periudha vendimtare për vendin tonë, si dhe përkrahjen e saj të vazhdueshme pas shpalljes së pavarësisë”, tha Haxhiu.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e zgjerimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Australisë, veçanërisht në ekonomi, investime, arsim, teknologji dhe siguri.


























