Një ndalim i tregtisë me vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar ka marrë mbështetjen më të madhe nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, bëri të ditur shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, megjithatë blloku evropian mbetet i ndarë për masat e mundshme.
Gjatë një takimi në Bruksel, ministrat e Jashtëm të BE-së diskutuan tri alternativa të propozuara nga Komisioni Evropian: një sistem licencimi për importet, tarifa të larta ndëshkuese ose ndalim të plotë të tregtisë me produktet nga këto vendbanime.
Kallas tha se opsioni i ndalimit mori mbështetjen më të madhe nga përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare, por diplomatët theksuan se ende nuk ekziston një shumicë e qartë për ndonjërën prej alternativave.
“Ambasadorët e vendeve anëtare janë ngarkuar të vazhdojnë punën për këtë çështje”, deklaroi Kallas pas takimit.
Ministri i Jashtëm holandez, Tom Berendsen, tha se vendet e BE-së janë të ndara mes atyre që mbështesin ndalimin e tregtisë, atyre që e kundërshtojnë atë dhe një grupi të tretë vendesh që ende nuk kanë përcaktuar qëndrimin.
“Në javët e ardhshme duhet të ketë qartësi për qëndrimin e këtij grupi. Më pas shpresojmë të jemi në gjendje të bëjmë një hap tjetër në fund të verës”, tha Berendsen.
Përplasje edhe për bazën ligjore
Përveç ndarjeve politike, vendet e BE-së nuk pajtohen as për mënyrën ligjore të miratimit të masave.
Komisioni Evropian dhe disa vende anëtare argumentojnë se një vendim i tillë do të kërkonte unanimitet, ndërsa disa qeveri dhe shërbimi juridik i Këshillit të BE-së vlerësojnë se mund të miratohet me shumicë të cilësuar.
Sipas këtij interpretimi, do të nevojitej mbështetja e të paktën 15 vendeve anëtare që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së Bashkimit Evropian.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, kritikoi Kallasin, duke e akuzuar për përdorim të “trikave diplomatike” për të shtyrë përpara një ndalim të tregtisë.
“Raportet e Izraelit me Evropën duhet të bazohen në dialog dhe drejtësi”, shkroi Saar në platformën X.
BE-ja e ndarë për politikën ndaj Izraelit
Presioni ndaj BE-së për të ndërmarrë masa është rritur muajt e fundit, veçanërisht për shkak të dhunës së kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve dhe zgjerimit të vazhdueshëm të vendbanimeve në Bregun Perëndimor.
Shumica e vendeve dhe organizatave ndërkombëtare i konsiderojnë vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor si të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare, ndërsa Izraeli e kundërshton këtë qëndrim duke e cilësuar territorin si të kontestuar.
Ministri i Jashtëm i Spanjës, José Manuel Albares, kërkoi veprim më të shpejtë nga BE-ja.
“Nuk ka më vend për vonesa. Ne qëndrojmë me të drejtën ndërkombëtare dhe besojmë se ajo që duhet bërë është ndalimi i kësaj tregtie”, tha ai.
Ndërkohë, homologu i tij gjerman, Johann Wadephul, tha se fokusi i BE-së duhet të jetë në ushtrimin e presionit ndaj qeverisë izraelite për të marrë masa kundër kolonëve të dhunshëm.
“Ky është një qëndrim i përbashkët i të gjithë Bashkimit Evropian”, deklaroi Wadephul.


























