Konjufca: Konstituimi i Kuvendit mund të zgjasë, nuk po shkelet Kushtetuta

Ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, ka thënë se procesi aktual i konstituimit të Kuvendit të Kosovës nuk përbën shkelje të Kushtetutës, pavarësisht interpretimeve të ndryshme lidhur me afatin prej 24 orësh.

Konjufca ka deklaruar se çështja nëse seanca konstituive duhet të përfundojë brenda një dite është interpretuar ndryshe nga ekspertët kushtetues.

“Ne nuk mendojmë që është shkelur Kushtetuta. Për shkak të këtyre momenteve dhe proceseve, prej zgjedhjeve të shkurtit ka qenë duke u interpretuar. I patëm disa momente edhe vitin e kaluar kur ishin të paqarta. Diskutimi ka të bëjë me ditën e mbajtjes së seancës dhe a e përbën një entitet të vetëm dhe a duhet të përfundojë brenda 24 orëve mbajtja e seancës apo jo. Sipas disa ekspertëve, të cilët kanë interpretime të ndryshme, mund të zgjasë edhe më shumë se 24 orë. Kështu është duke ndodhur edhe tash, po zgjat më shumë se një ditë. Nuk është dramatike qysh po e interpreton opozita, është pjesë e formësimit të mëtejshëm kushtetues të vendit tonë. Kur do të thirret seanca, nuk mund ta caktoj unë”, ka deklaruar Konjufca.

Ai është shprehur kundër interpretimit se zgjatja e procesit paraqet një situatë dramatike, duke theksuar se sipas tij bëhet fjalë për një proces që lidhet me zhvillimin e mëtejshëm institucional të vendit.

Konjufca ka folur edhe për dialogun politik ndërmjet subjekteve politike, duke thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të vazhdojë përpjekjet për të komunikuar me PDK-në, LDK-në dhe Aleancën.

“Unë mendoj që konstituimi mund të zgjasë më shumë se një ditë. Kurti do t’u drejtohet sërish, kurrë nuk do të lodhemi nga dialogu politik, do të vazhdojnë përpjekjet edhe PDK-ja, edhe LDK-ja e Aleanca. Çdo dëm që ju po e konsideroni është më i vogël se ajo çka pamë në seancë, dhuna ndaj kryeministrit dhe ndaj deputetëve tanë. A thonit keq edhe atëherë? Nëse është keq, është keq edhe kësaj radhe. Është më pak dëm sesa të shkohet në zgjedhje të reja, të dy këto dëme janë më të mëdha. Nuk është duke u shkelur Kushtetuta”, deklaroi Konjufca.

Sipas tij, vazhdimi i dialogut politik është më i favorshëm sesa një skenar që do të çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish