Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka pritur sot në takim të dërguarin e Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anzej Franges, transmeton KosovaPost.
Në këtë takim Konjufca dhe Franges, i shkëmbyen pikëpamjet lidhur me zhvillimet në Kosovë dhe në rajon, veçanërisht në kontekst të sigurisë dhe nevojës për stabilitet.
Konjufca shprehu vlerësimin e tij se sot pasiguria në rajon ka dy burime kryesore, “agresionin rus në Ukrainë dhe mospajtueshmërinë e Serbisë me kufijtë e saj, përkatësisht ambicien për zgjerim territorial”.
Në njoftimin e Kuvendit, u theksua se po ashtu në këtë takim u diskutua po ashtu për gjendjen në të cilën ndodhet dialogu Kosovë-Serbi, përkatësisht nevojën që BE-ja të bëjë më shumë që Serbia t’i rikthehet Marrëveshjes së Brukselit si korniza bazë për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.


























