Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se është i gatshëm të vazhdojë komunikimin me partitë politike, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për çështjen e presidentit.
Kurti ka bërë të ditur se do të vazhdojë diskutimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërsa u ka bërë thirrje për takim edhe liderëve të partive të tjera parlamentare.
“I bëj thirrje kryetarit të Aleancës, Ardian Gjinit, por edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, që të takohemi dhe të bisedojmë”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, posti i presidentit duhet të shihet si një çështje që tejkalon përgjegjësinë e një shumice parlamentare, pasi kërkon një dakordim më të gjerë politik.
“Presidenti është përgjegjësi edhe e AAK-së edhe e LDK-së”, ka theksuar Kurti.
Ai ka shtuar se, ndryshe nga formimi i qeverisë dhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, që lidhen me shumicën parlamentare, zgjedhja e presidentit kërkon përfshirje më të gjerë të subjekteve politike.


























