Pavarësisht se një afat kushtetues për përfundimin e saj mbaroi qysh në mesnatën e së premtes, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, ka insistuar se ajo nuk ka përfunduar.
Në një konferencë për media pas ndërprerjes së seancës, Kurti tha se vazhdimi i saj përcaktohet nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari.
“Vazhdimi i seancës përcaktohet nga kryesuesi i seancës konstituive, e cila ka filluar, por përfundon atëherë kur zgjidhet kryetari dhe pesë nënkryetarët. Aty do ta ketë një nënkryetar LVV, një LDK, një PDK, një të pakicave jo-serbe dhe një të pakicave serbe”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, pas përfundimit të këtij procesi do të përmbyllet edhe detyra e kryesuesit aktual të seancës, Avni Dehari, i cili është deputeti më i moshuar edhe në legjislaturën e 11-të.


























