Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e festivalit njëmujor të artit dhe kulturës “AS ANEJ, AS KNEJ”, i cili u hap sonte në Hotel Grand në Prishtinë.
Kurti tha se festivali do t’i sjellë artistët nga mërgata për të reflektuar mbi dekadat e migrimit, mallit dhe kthimit.
“Sonte në Hotel Grand në kryeqytet u hap festivali njëmujor i artit dhe kulturës ‘AS ANEJ, AS KNEJ’, i cili do t’i sjellë artistët tanë nga mërgata për të reflektuar mbi këto dekada migrimi, malli e kthimi”, ka shkruar Kurti.
Ai theksoi se mërgata është e integruar në vendet ku jeton, por mbetet e lidhur ngushtë me Kosovën.
“Mërgata jonë është e integruar mirë atje ku jeton. Por me zemër, me mendje dhe me përkrahje, gjithmonë ka qenë edhe në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, mërgata nuk është vetëm burim remitencash, por edhe një potencial i rëndësishëm profesional dhe intelektual.
“Sepse mërgata nuk është vetëm remitencë. Mërgata është dituri: inxhinierë, mjekë, hulumtues, arkitektë, mësimdhënës, artistë. E ne po e hapim një derë ku ajo dituri ka pse e si të vijë”, ka thënë Kurti.


























