Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja kishin arritur më herët një marrëveshje, por sipas tij, ajo është shkelur nga gjashtë deputetë të LDK-së.
Kurti ka thënë se ende ka hapësirë për arritjen e një marrëveshjeje të re dhe për zgjedhjen e presidentit, duke bërë thirrje për dialog ndërmjet subjekteve politike.
Ai ka theksuar se në rrethanat aktuale, Kosova ka nevojë për stabilitet institucional dhe jo për një cikël të ri zgjedhor.
“Ne e kemi një marrëveshje me LDK-në, por e dimë që ajo u shkel dhe u braktis nga gjashtë deputetët e saj, përkundër që ajo e kishte bekimin e kryesisë së partisë së tyre, përveç arritjes së një marrëveshjeje të re edhe zgjedhja e presidentit është e mundshme, andaj le të ulemi bashkë sepse zgjedhjet e reja ndonëse do të shkaktoheshin si pasojë e dështimit për zgjedhjen e presidentit sërish nuk do të ishin zgjedhje për president. Kosova nuk e ka luksin të humbasë kohë në kriza të panevojshme, nuk kemi nevojë pandërprerë pa numër herë në zgjedhje vetëm për të arritur në pikën e njëjtë. Me këtë deklaratë ne kemi hapur një kapitull të ri të bashkëveprimit e bashkërendimit të brendshëm, i kemi rrethanat e reja që kërkojnë përgjegjësi më të madhe shtetërore, në rrethanat e reja, shteti më së paku do të duhej të kishte mbi qafë kërcënimin e zgjedhjeve. Vendit tonë më shumë se kurrë i duhet stabiliteti institucional ashtu që të ketë mundësi të marrjes së përgjegjësive që ka përpara me detyra e funksione të shumta”, ka deklaruar Kurti.


























