Shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka deklaruar se vendimi për dhënien në shfrytëzim të Tulltores së qytetit për 50 vjet është në kundërshtim me ligjin.
Sipas Sveçlës, Departamenti Ligjor i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka vlerësuar se vendimi i Kuvendit Komunal të Prishtinës për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale nuk është në përputhje me normat ligjore që rregullojnë këtë fushë.
“Tulltorja mbetet në pronësi dhe menaxhim të Komunës së Prishtinës”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka ftuar kryetarin e Prishtinës që të ndalojë, siç i ka quajtur ai, përpjekjet për tjetërsimin e pasurisë publike të qytetarëve të Prishtinës.
Sveçla ka kërkuar gjithashtu që projekti i planifikuar për Tulltoren të financohet nga buxheti i Komunës së Prishtinës dhe të realizohet nga vetë Komuna.
Tulltorja është bërë objekt përplasjeje politike në Prishtinë, pas vendimit për dhënien e saj në shfrytëzim afatgjatë. Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar vazhdimisht këtë vendim.


























