Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se mbetet i përkushtuar për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të legjislaturës së 11-të, duke theksuar se në takimin me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) shkon me vullnet të mirë dhe gatishmëri për të arritur një marrëveshje politike.
Para nisjes për takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kurti tha se objektivi kryesor është funksionalizimi i institucioneve, duke filluar me konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e Qeverisë dhe më pas të Presidentit të vendit.
“Synimi ynë është që të bëhet konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të,” deklaroi Kurti.
Ai shprehu keqardhje për mungesën e takimeve me disa nga partitë opozitare, duke thënë se dialogu është i domosdoshëm për tejkalimin e bllokadës politike.
“Fatkeqësisht, dy partitë e tjera nuk e kanë konsideruar të nevojshme apo të arsyeshme që të takohemi. Unë mendoj ndryshe. Përderisa me AAK-në nuk jemi takuar fare, besoj që ka pasur shumë nevojë që të takohemi përsëri me kryetarin e PDK-së,” u shpreh ai.
Kurti bëri të ditur se në takim do të shoqërohet nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili njëherësh është edhe anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.
“Tash unë do të shkoj atje me ministrin e Financave, që njëkohësisht është anëtar i Kryesisë së Vetëvendosjes, Hekuran Muratin. Ndërkaq nga ana tjetër, në formatin 1+1, do të jetë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë,” tha Kurti.
Kryeministri në detyrë theksoi se vendi ka nevojë për institucione funksionale dhe stabilitet politik, duke përsëritur qëndrimin e tij kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
“Ne dëshirojmë që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe ta zgjedhim Presidentin, meqenëse siç kemi thënë më herët, siç nuk kemi pasur nevojë për zgjedhje të kaluara, nuk kemi nevojë as që ato të ardhshmet të jenë para vitit 2030,” deklaroi ai.
Sipas Kurtit, Kosova duhet të respektojë ciklet e rregullta zgjedhore katërvjeçare, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësinë të vlerësojnë qeverisjen përmes votës.
“Kemi nevojë për cikle të rregullta zgjedhore, ku çdo katër vjet një qeveri qeveris dhe më pastaj vlerësohet tek populli si burim i sovranitetit, i cili na bën përgjegjës e llogaridhënës në republikën tonë demokratike e parlamentare,” tha ai.
Në fund, Kurti theksoi se në takim do të shkojë me frymë bashkëpunimi dhe optimizëm për një rezultat pozitiv.
“Unë shkoj me vullnet të mirë, shkoj me gatishmëri për marrëveshje dhe natyrisht që hollësitë e diskutimeve do të mund të vijnë në shprehje vetëm pas takimeve dhe pas marrëveshjeve, përkatësisht pas suksesit për të cilin urojmë sepse punojmë,” përfundoi Kurti./rtk


























