Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim një delegacion prej rreth 70 përfaqësuesish shqiptarë nga Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Pazari i Ri, të cilët përfaqësojnë fusha të ndryshme, përfshirë politikën, arsimin, shëndetësinë, sportin, kulturën dhe median.
Kurti tha se çështja e shqiptarëve në këto treva nuk duhet të trajtohet vetëm në raste krizash, por si përgjegjësi e përhershme politike, institucionale dhe kombëtare.
Sipas tij, shqiptarët në Serbi përballen prej vitesh me një model diskriminimi që, ndër të tjera, shfaqet përmes nën-përfaqësimit në polici, gjyqësor dhe administratë, në punësim, pasivizimin e adresave, përdorimin e gjuhës shqipe dhe qasjen në institucionet publike.
Duke iu referuar vizitës së fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Medvegjë dhe Bujanoc, Kurti tha se ai kishte vizituar vetëm vendbanime me shumicë serbe dhe kishte përdorur, sipas tij, gjuhë stigmatizuese e denigruese ndaj shqiptarëve.
Kurti përmendi edhe premtimin për punësim në BIA brenda 48 orësh, duke e cilësuar si kontrast me situatën me të cilën përballen shqiptarët kur kërkojnë punësim në institucionet publike.
“Kur shqiptari kërkon punësim në institucionet publike, përballet me barriera dhe nën-përfaqësim. Kur dikush përdor gjuhë përçmuese ndaj shqiptarëve, dëgjon premtim për punësim. Ky është tregues i klimës. Është mesazh. Është mënyra se si shqiptarët e këtyre viseve e përjetojnë shtetin”, tha Kurti.
Ai tha se qasja e Qeverisë së Kosovës ndaj Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës është ndërtuar në tri rrafshe: barazimin sa më të madh të qytetarëve të këtyre trevave me qytetarët e Kosovës, krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm për mbështetjen e shqiptarëve atje ku jetojnë dhe avokimin ndërkombëtar.
Kurti përmendi mbështetjen në arsim, shëndetësi, licencim profesional, specializime, të drejta pronësore dhe dokumentacion. Ai tha se specialistët nga Lugina janë barazuar me specialistët nga Kosova, ndërsa janë krijuar mundësi edhe për licencimin e profesionistëve shëndetësorë.
Sa i përket mbështetjes financiare, Kurti tha se ajo është rritur nga 2 milionë euro në vitet 2022 dhe 2023, në 3 milionë euro në vitin 2024 dhe në 4 milionë euro nga viti 2025, përfshirë edhe vitin 2026.
Ai tha se Qeveria ka mbështetur gjithashtu tekstet shkollore dhe mjetet për parashkollorë në gjuhën shqipe, bursat për studentë dhe gjimnazistë, kulturën, trashëgiminë kulturore, sportin, median dhe organizatat që punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta.
Sipas Kurtit, në korrik të vitit 2025 janë ndarë 580 mijë euro për bashkëfinancimin e Shkollës së Muzikës dhe Muzeut në Preshevë.
Në fokus të takimit ishin edhe dy transfere financiare që, sipas Kurtit, janë bllokuar gjatë këtij viti.
“ Kemi dy transfere të bllokuara në janar të këtij viti, në vlerë prej 304,511 euro dhe prill po të këtij viti, në vlerë prej 1,837,511 euro, apo më shumë se gjashtë fishi i shifrës paraprake”, tha ai.
Kurti tha se këto mjete lidhen me dhjetëra projekte në art, kulturë, trashëgimi kulturore, sport, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, organizata për fëmijët me nevoja të veçanta, media dhe programe të tjera.
Sipas tij, vetëm në këto kategori janë 136 projekte dhe organizata të aprovuara, ndërsa janë përfshirë edhe 61 aplikime dhe familje të aprovuara për nxënësit që kanë humbur njërin ose të dy prindërit.
Ai tha se fondet përfshijnë edhe programin e librave falas për nxënësit e shkollave fillore, praktikën profesionale të Këshillit Kombëtar Shqiptar, mirëmbajtjen e zyrave të Këshillit në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Pazarin e Ri, si dhe programet për avokimin e të drejtave të shqiptarëve në qendrat ndërkombëtare.
Kurti tha se bllokimi i mjeteve nuk duhet të shihet vetëm si çështje financiare, pasi, sipas tij, ndikimi prek drejtpërdrejt nxënësit, studentët, sportistët, artistët, mediat, familjet dhe organizatat shqiptare në këto treva.
Ai deklaroi se Serbia duhet të japë përgjigje për këtë çështje.
“Prandaj, kjo nuk mund të paraqitet si çështje teknike bankare atëherë kur publikisht një ministër i Serbisë konfirmoi se mjetet janë bllokuar dhe se ishin kthyer. Është përgjegjësi institucionale. Dhe Serbia duhet të japë përgjigje”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë tha se Kosova po kërkon nga Bashkimi Evropian që t’i kërkojë Serbisë, si vend kandidat për anëtarësim, respektimin e sundimit të ligjit, barazisë, mosdiskriminimit dhe mbrojtjes efektive të pakicave.
“Dhe nuk mjafton që ne ta dimë se ekziston diskriminimi. Duhet ta dijë edhe Brukseli, Washingtoni e Strasburgu. Dhe çdo institucion që e vlerëson Serbinë për standardet demokratike dhe për të drejtat e njeriut”, tha Kurti.
Ai përfundoi duke thënë se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë mbështetjen për shqiptarët e Luginës dhe se diskriminimi ndaj tyre duhet të dokumentohet, ndërkombëtarizohet dhe të bëhet pjesë e përgjegjësisë së Serbisë para partnerëve ndërkombëtarë.


























