Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari, ka marrë pjesë në hapjen e punëtorisë kushtuar sigurisë dhe inovacionit në nivel kombëtar, të organizuar nga National Security and Innovation Consortium (NSIC), pjesë e RIT Kosovo.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Dixhitalizimit, Lulzon Jagxhiu, presidentja e zgjedhur e RIT Kosovo, prof. Albina Balidemaj, udhëheqësi i NSIC-së, Xhavit Gashi, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe agjencive shtetërore.
Kusari tha se siguria dhe inovacioni janë dy shtylla të rëndësishme për ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme, konkurruese dhe në hap me zhvillimet e kohës.
“Diskutime të tilla nxjerrin në pah edhe sfidat me të cilat përballemi, si përshtatja e legjislacionit me zhvillimet teknologjike dhe përshpejtimi i integrimit të teknologjisë në administratën publike. Përballë këtyre sfidave, si Ministri kemi ndërmarrë hapa konkretë për digjitalizimin e proceseve administrative për bizneset. Synimi ynë është që bizneset të regjistrohen, certifikohen dhe të mbështeten në mënyrë më të shpejtë, më efikase dhe më të sigurt”, ka shkruar Kusari Lila në Facebook.
Sipas Kusarit, këto reforma synojnë të nxisin ndërmarrësinë, inovacionin dhe rritjen e besimit të qytetarëve dhe bizneseve në institucionet publike.
“Nisma dhe diskutime të tilla, ku bashkëpunojnë institucionet, akademia dhe sektori i inovacionit, janë thelbësore për zhvillimin e Kosovës dhe për përgatitjen e saj për sfidat dhe mundësitë e së ardhmes”, ka shkruar Kusari.


























