Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së premte iu ka dërguar partive politike në vend, letër për takim. Në këtë letër thuhet se takimi do të mbahet në lidhje me caktimin e datës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Me të marrë këtë letër, partitë politike u përgjigjen pozitivisht. Ftesa e presidentes është bërë për nesër (31 korrik 2024), në orën 14:00.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj do të shkojë në takimin e nesërm të thirrur nga presidentja Osmani për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve.
“Mund të ju konfirmoj që kryetari Haradinaj do të marrë pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta’, tha Xhemajli.
Përderisa, pjesëmarrjen në takim nga pozita e ka konfirmuar edhe Lëvizja Vetëvendosje.
“LV do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Presidentja Osmani. Besoj që do të shkojë nënkryetari i parë i LV-së, Glauk Konjufca”, ka thënë zëdhënësi Arlind Manxhuka.
Pjesëmarrjen në takimin e 31 korrikut deri tani e kanë konfirmuar edhe PDK e LDK.
Prej LDK’së shkon kryetari Lumir Abdixhiku, ndërsa prej PDK’së ende nuk është bërë e ditur se kush do të shkojë.
Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave, e dyta PDK, e treta LDK dhe e katërta AAK.


























