Në Gjykatën Themelore në Ferizaj ka nisur seanca gjyqësore ndaj gjashtë të pandehurve, të akuzuar për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika.
Seanca ishte paraparë të fillonte në orën 09:00.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, më 9 janar 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë të pandehurve me inicialet H.B., R.M., V.Ç., E.L., SH.K. dhe D.G.
Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se, në bashkëkryerje, më 1 prill 2025, rreth orës 23:00, privuan nga jeta zyrtarin policor Muhamet Lika në Kaçanik. Sipas Prokurorisë, ata dyshohet se përdorën armë zjarri dhe vepruan pas përgatitjeve paraprake. Në këtë rast, sipas aktakuzës, është përfshirë edhe një person i mitur.
Prokuroria ka kërkuar që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Po ashtu, ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj tyre deri në përfundimin e procesit gjyqësor.


























