Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, tha se mbrojtja e mjedisit është standard që duhet respektuar nga secili organizator i ngjarjeve publike!, përcjell KosovaPost.
“Kemi nxjerrë vendim që vendos rregulla të qarta dhe masa të detyrueshme për organizimin e festivaleve, koncerteve dhe çdo aktiviteti tjetër publik, me qëllim mbrojtjen e mjedisit. Nga tani, çdo organizator do të jetë i obliguar të sigurojë menaxhim të duhur të mbeturinave, pastrim të plotë të hapësirave, respektim të kufijve të zhurmës, mbrojtje të ajrit, ujit dhe natyrës”, ka shkruar Pacolli në “Facebook”.
Sipsa saj, për aktivitetet me ndikim më të madh, komunat do të mund të kërkojnë edhe garanci financiare për rehabilitimin e hapësirës.
“Ky vendim shënon një standard të ri të përgjegjësisë mjedisore në Kosovë. Zhvillimi i jetës kulturore dhe argëtuese duhet të ecë krah për krah me mbrojtjen e mjedisit. Do të jemi të pakompromis në zbatimin e këtyre masave, sepse një mjedis i pastër është përgjegjësi e përbashkët dhe detyrim ndaj brezave që vijnë”, tha ajo.


























