Qeveria e Kosovës ka falënderuar organizatorët dhe mijëra qytetarët që morën pjesë në “Marshin për Liri” të mbajtur në Prishtinë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës falënderon organizatorët e ‘Marshit për Liri’ në Prishtinë. Po ashtu, shprehim mirënjohje edhe për mijëra qytetarë pjesëmarrës, për sjelljen paqësore, paraqitjen dinjitoze dhe qëndrimet e qarta të shprehura gjatë këtij organizimi”, thuhet në një reagim të Qeverisë për medie.
Në reagim thuhet se pjesëmarrësit kërkuan lirimin e katër drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, paraburgimi i të cilëve në Dhomat e Specializuara në Hagë ka hyrë në muajin e 70-të.
“Qeveria vlerëson në veçanti bashkëpunimin e treguar nga organizatorët dhe pjesëmarrësit me organet e rendit dhe të sigurisë të Republikës së Kosovës, i cili kontribuoi në mbarëvajtjen e qetë dhe të sigurt të marshit”, thuhet tutje në reagim.


























