Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e saj të 31-të në formë elektronike, ku ka miratuar disa vendime me rëndësi financiare dhe ekonomike, shkruan KosovaPost.
Me anë të një njoftimi në Facebook bëhet e ditur se në këtë mbledhje u miratua Raporti Gjashtëmujor Financiar i Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2026. Sipas raportit, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit pranimet buxhetore arritën në 1 miliard e 816.52 milionë euro, ndërsa shpenzimet kapën vlerën prej 1 miliard e 777.50 milionë euro.
Po ashtu, Qeveria ndau 21 mijë euro për realizimin e shfaqjes “Taverna Miresia – Mario, Bella, Anastasia”, me regji të Mario Banushit.
Në kuadër të mbështetjes ekonomike, u ndanë edhe 1.4 milion euro për zbatimin e Masës 3.8 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Gjithashtu, u miratua vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 08/20, të datës 22 maj 2026, lidhur me miratimin e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.


























