Ekspozita Ndërkombëtare EXPO, Kisha Ortodokse Serbe (KOS), autostrada në entitetin e Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, si dhe Zyra për Kosovën.
Për të gjitha këto, mes tjerash, shteti i Serbisë ka shpenzuar para nga rezerva buxhetore.
Sipas rregullave, këto mjete duhet të përdoren për shpenzime të paparashikuara.
Por, që nga fillimi i vitit 2026, fondet nga rezerva buxhetore janë ndarë me vendime të Qeverisë serbe më shumë se 130 herë, gjeti Radio Evropa e Lirë (REL).
Deri në publikimin e këtij artikulli, as Qeveria dhe as Ministria e Financave e Serbisë nuk janë përgjigjur se pse ka qenë e nevojshme që fondet nga rezerva të përdoren kaq shumë herë.
Shumat e ndara për përfitues të ndryshëm të arkës shtetërore kanë tejkaluar 122 milionë euro.
Dhe, kjo është vetëm një pjesë e parave.
Arsyeja është se, në më shumë se 30 vendime të Qeverisë të publikuara në Gazetën Zyrtare, shuma që do të merret nga rezerva nuk është përcaktuar saktësisht.
“Përdorim tepër i gjerë dhe jo mjaftueshëm transparent”, kështu e përshkruan Këshilli Fiskal, organ i pavarur që mbikëqyr financat shtetërore, shpenzimin e rezervës buxhetore në raportet e tij.
Radio Evropa e Lirë sjell një pasqyrë të mënyrës se si është shpenzuar rezerva buxhetore gjatë vitit 2026.
Përveç shpenzimeve urgjente – si trajtimi i qytetarëve jashtë Serbisë, furnizimi me vaksina ose blerja e rezervave të karburantit gjatë muajve të krizës energjetike globale – paratë janë ndarë edhe për projekte të mëdha që tashmë kanë vendin e tyre në buxhet, siç është EXPO.
Miliona për EXPO-n edhe nga rezerva buxhetore
Në një nga kantieret më të mëdha të ndërtimit në Serbi, në lagjen Surqin të Beogradit, aktualisht po punojnë mijëra punëtorë dhe qindra makineri.
Aty po ndërtohet kompleksi për Ekspozitën e Specializuar Ndërkombëtare EXPO, mikpritës i së cilës do të jetë Beogradi vitin e ardhshëm, më 2027.
Ndërtimi i objekteve për EXPO-n është një nga kategoritë më të mëdhatë Ligjit për Buxhetin të këtij viti.
Por, përveç fondeve të rregullta të planifikuara, miliona euro po ndahen edhe nga rezerva buxhetore.
Paratë për këtë janë ndarë katër herë.
Mbi 11.8 milionë euro i janë ndarë Drejtorisë Republikane për Ujërat dhe Korporatës Elektroenergjetike të Serbisë, mes tjerash për ndërtimin e mbrojtjes së bregut pranë Surqinit dhe për linjat kabllore në Stadiumin Kombëtar.
Ndërkaq, në dy vendime, shuma e përcaktuar është vetëm 1.000 dinarë (rreth 10 euro).
Kjo është bërë për “mbështetjen e realizimit” të projektit EXPO dhe ndërtimin e objekteve në zonat B dhe E, ku ndodhen pavijonet e ekspozitës dhe pavijoni kombëtar i Serbisë.
Por, kjo nuk do të thotë se Ministria e Financave do të ndajë realisht vetëm 1.000 dinarë.
Bëhet fjalë për një shumë të ashtuquajtur “teknike”, me të cilën hapet mundësia për ndarjen e fondeve për atë zë të buxhetit.
Shuma përcaktohet më vonë.
“Kjo do të thotë se në fakt hapet një zë buxhetor dhe planifikohen mjete më të mëdha për t’u ndarë. Nëse një zë i tillë hapet pa miratimin e Kuvendit dhe pa rishikimin e buxhetit, atëherë kemi të bëjmë me keqpërdorim të ligjit”, vlerëson ekonomisti Goran Radosavleviq.
Ndërsa pushteti, i udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq, e përshkruan EXPO-n si “një projekt historik dhe simbol të së ardhmes”, një pjesë e opinionit publik e shoqëron këtë projekt me akuza për korrupsion dhe mungesë transparence.
Punët e ndërtimit, në bazë të një ligji të posaçëm, u jepen kompanive pa hapur tenderë, ndërsa një pjesë e partive opozitare dhe aktivistëve të shoqërisë civile kanë vlerësuar se kontratat po u jepen kompanive të afërta me pushtetin.
Për këtë arsye, gjatë muajve të fundit ata kanë kërkuar që organizatorët ndërkombëtarë ta rishqyrtojnë mbajtjen e EXPO-s në Serbi.
Në pyetjet lidhur me financimin e ndërtimit të EXPO-s nga rezerva buxhetore, si dhe për akuzat për mungesë transparence, organizata që organizon këtë ekspozitë ndërkombëtare në Beograd nuk është përgjigjur.
Ata na kanë drejtuar te Ministria e Financave, nga e cila gjithashtu nuk është përgjigjur.
Miliona për Tempullin e Shën Savës
Kisha Ortodokse Serbe (KOS), si bashkësia më e madhe fetare në Serbi, ka marrë mjete nga rezerva buxhetore të paktën gjashtë herë që nga fillimi i vitit.
Rreth dy milionë euro janë siguruar, përmes një donacioni të Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë, për përfundimin e ndërtimit të Tempullit të Shën Savës në Beograd.
Vendimi është publikuar dy ditë para nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe Kishës Ortodokse Serbe, me të cilën, më 28 qershor, është rënë dakord që përfundimi i ndërtimit të tempullit të financohet nga buxheti i shtetit.
Ndërtimi i tij ka nisur para më shumë se 90 vjetësh dhe ai përshkruhet si tempulli më i madh ortodoks në Serbi.
Shteti ka investuar deri më tani disa herë miliona euro në këtë projekt, por nuk ka të dhëna të sakta se sa ka kushtuar ndërtimi i tij.
Donacione për dioqezat e Kishës Ortodokse Serbe jashtë Serbisë
Tri donacione nga rezerva buxhetore gjatë vitit 2026 u janë ndarë dioqezave të Kishës Ortodokse Serbe jashtë kufijve të Serbisë.
Dioqezës së Bihaqit dhe Petrovacit në Bosnje e Hercegovinë i janë ndarë rreth një milion euro si “ndihmë financiare”.
Po kjo dioqezë, një muaj para se të merrte donacionin, e dekoroi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me “Urdhrin e Martirëve të Rinj”, për “bamirësinë e treguar dhe dashurinë e madhe ndaj kësaj dioqeze dhe manastirit Rmanj”.
Ndihmë përmes Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë serbe, në vlerë prej rreth 300 mijë eurosh, mori edhe Dioqeza e Budës e Kishës Ortodokse Serbe në Hungari.
Për restaurimin e rezidencës patriarkale në Dalj të Kroacisë janë ndarë rreth 200 mijë euro.
Qeveria ka ndarë fonde edhe për ndërtimin e dy kishave në vendbanime në Serbi, ku gjatë pranverës u mbajtën zgjedhje lokale.
Për kishën në Klokoçevc, afër Majdanpekut në lindje të Serbisë, janë dhuruar rreth 150 mijë euro.
Për ndërtimin e kishës në Luçan, në perëndim të Serbisë, janë ndarë rreth 128 mijë euro.
Ndërkaq, përmes Ministrisë pa Portofol për Bashkëpunim Ekonomik Ndërkombëtar, në krye të së cilës është ministri prorus Nenad Popoviq, i përfshirë në listën e zezë të SHBA-së, janë ndarë rreth 500 mijë euro për “donacione për kishat në vend dhe jashtë vendit me qëllim të përmirësimit të pozitës së tyre shoqërore”.
Me këtë është vazhduar praktika e deritanishme e financimit të Kishës Ortodokse Serbe nga rezerva buxhetore e shtetit, në muajt kur kisha u rreshtua në anën e pushtetit dhe protestat masive kundër qeverisë i cilësoi si përpjekje për destabilizimin e shtetit.
Kisha Ortodokse Serbe nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me financimin nga shteti dhe mënyrën se si shpenzohen këto mjete.
Shumë e papërcaktuar për Kosovën
Katër vendime të Qeverisë së Serbisë, të miratuara që nga fillimi i vitit, parashohin që mjete nga rezerva buxhetore t’i transferohen Zyrës për Kosovën.
Për “mbështetjen e të rinjve dhe sipërmarrjes së grave” janë ndarë mbi 400 mijë euro, ndërsa pak më shumë se 75 mijë euro janë ndarë për ndihma sociale për serbët e zhvendosur nga Kosova.
Zyra ka marrë fonde nga rezerva buxhetore edhe për ndihmën ndaj qytetarëve të nacionalitetit serb që ndodhen në burgje në Kosovë.
Për këtë janë ndarë mbi 130 mijë euro, si ndihmë për ata që Beogradi i konsideron viktima të “proceseve të montuara të iniciuara me qëllim të përndjekjes politike”.
Ndër këto procese përmenden edhe gjykimet për krimet e pretenduara të kryera gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999, për të cilat Serbia mohon përgjegjësinë.
Në një nga vendimet për përdorimin e rezervës buxhetore për Kosovën, shuma nuk është specifikuar.
Bëhet fjalë për ndërtimin dhe rindërtimin e objekteve të banimit në Kosovë.
Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për detajet: sa para janë ndarë nga rezerva dhe ku e si do të shpenzohen ato.
Nën ombrellën e kësaj Zyre funksionojnë institucionet serbe në Kosovë, të cilat autoritetet në Prishtinë i konsiderojnë të paligjshme.
Tenderët për punët infrastrukturore në zonat me shumicë serbe zhvillohen nga Organet e Përkohshme Komunale, të krijuara sipas ligjeve të Serbisë.
Ato kanë funksionuar në Kosovë deri në vitin 2024.
Më pas, së bashku me institucionet e tjera të Serbisë, autoritetet e Kosovës i mbyllën, me arsyetimin se ishin paralele dhe të paligjshme.
Megjithatë, ato vazhduan punën nga lokacione alternative në qytetet kufitare në Serbi.
Donacion për autostradën në Republikën Sërpska
Rreth 10 milionë euro nga rezerva buxhetore u transferuan në fillim të korrikut në shtetin fqinj.
Me këto mjete, Serbia ndihmoi ndërtimin e autostradës nga Raça në Bielinë, në entitetin e Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska.
Përfundimi i punimeve në këtë segment, rreth 20 kilometra të gjatë, është vonuar dhe afatet janë shtyrë.
Autostrada po ndërtohet që nga viti 2019 në të dy anët e kufirit, me synimin për të lidhur Beogradin me Banjallukën.
Segmenti Bielinë-Raça kushton rreth 180 milionë euro. Serbia siguron 80 për qind të mjeteve, ndërsa Republika Sërpska mbulon 20 për qind të mbetura.
Kontraktori kryesor është kompania “Integral Inzhenjering”, nga Laktashi pranë Banjallukës.
Kjo kompani ishte nën sanksionet e SHBA-së që nga tetori i vitit 2022, për shkak të dyshimeve për korrupsion në sektorin e ndërtimit dhe lidhjeve me ish-presidentin e entitetit, Millorad Dodik.
Sanksionet ndaj kompanisë u hoqën në vitin 2024.
Nga arka republikane në atë lokale
Beogradi, Nishi, Irigu, Çaçaku, Vërbasi dhe Klladova.
Të gjitha këto qytete dhe komuna kanë marrë gjatë vitit 2026 “ndihmë” nga rezerva buxhetore.
Qyteti i Nishit i mori fondet dy herë, në vlerë totale prej rreth 9.4 milionë eurosh.
Në arkën e Beogradit kanë mbërritur rreth 1.2 milion euro.
Arsyetimi në vendimet e Qeverisë ishte gjithmonë i njëjtë – se fondet nevojiten për “përmbushjen e detyrimeve që nuk kanë mundur të parashikohen në momentin e miratimit të buxhetit dhe që mund të rrezikojnë likuiditetin aktual”.
Megjithatë, nuk jepen detaje se për çfarë janë destinuar saktësisht këto mjete.
Deri në publikimin e këtij artikulli, drejtuesit e këtyre qyteteve dhe komunave nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.
Komunës së vogël të Klladovës, në lindje të Serbisë, iu transferuan mbi 480 mijë euro.
Vendimi i Qeverisë u publikua në Gazetën Zyrtare në fund të shkurtit 2026, më pak se një muaj para zgjedhjeve lokale në atë komunë.
Në zgjedhjet e 29 marsit në Klladovë dhe në nëntë komuna e qytete të tjera, fitoi Partia Progresive Serbe (SNS), në pushtet.
Si i shpenzojnë federatat sportive fondet nga rezerva?
Ndarja e mjeteve nga rezerva buxhetore nisi që në mesin e janarit, vetëm dy javë pasi Ligji për Buxhetin e vitit 2026 hyri në fuqi.
“Kjo vetëm tregon se pothuajse me siguri dihej paraprakisht se për çfarë do të shpenzohej rezerva buxhetore dhe se pushteti ekzekutiv mori duar të lira për t’i shpenzuar paratë sipas dëshirës. Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë shfaqet si një ‘kanal kalimi’ për gjithçka”, thotë ekonomisti Goran Radosavleviq.
Përmes Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë, në mesin e janarit, fonde morën Federata e Basketbollit dhe Federata e Futbollit.
Arsyetimi ishte “ndihmë financiare për funksionimin e rregullt të shoqatave sportive”.
Federata e Basketbollit të Serbisë mori donacione nga rezerva edhe shtatë herë të tjera.
Në total, asaj i janë ndarë mbi 12 milionë euro.
Deri në publikimin e artikullit, Radio Evropa e Lirë nuk kishte marrë përgjigje nga Federata e Basketbollit për mënyrën e shpenzimit të këtyre mjeteve.
Federata e Futbollit e Serbisë gjatë vitit 2026 mori mbi gjashtë milionë euro nga rezerva buxhetore.
Përveç pesë donacioneve përmes Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë, të evidentuara si “ndihmë për funksionimin e rregullt” të federatës, një donacion ishte i dedikuar për organizimin e një kampi sportiv për fëmijë nga Ukraina.
Në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë, Federata e Futbollit thotë se nga rezerva buxhetore, përveç këtij kampi, janë financuar mirëmbajtja e tre stadiumeve shtetërore në Leskovc, Loznicë dhe Zajeçar, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve është ndarë për ndihmë klubeve, sipas kërkesave të tyre.
Në përgjigje nuk specifikohet se cilat klube kanë përfituar.
Federata i hedh poshtë kritikat e një pjese të opinionit publik se pushteti, duke financuar federatat, siguron besnikërinë e tyre, duke i cilësuar ato si “të pabazuara” dhe “të mbështetura në akuza të përgjithshme, e jo në fakte”.
Po ashtu, thekson se auditimi i punës së Federatës së Futbollit kryhet nga FIFA, UEFA, një auditor i pavarur dhe Ministria e Sportit.
“Këto procese janë shumë kërkuese dhe gjithëpërfshirëse, dhe çdo konstatim për keqpërdorim të mjeteve do të çonte domosdoshmërish në probleme, sanksione financiare dhe masa të tjera ndaj federatës kombëtare”, thuhet në përgjigje.
Nga rezerva buxhetore, përmes Ministrisë së Sportit, rreth 500 mijë euro iu ndanë edhe Federatës së Tenisit.
Në vendimin e shkurtit, të publikuar në Gazetën Zyrtare, thuhet se fondet janë miratuar për Ministrinë si donacion për Federatën e Tenisit të Serbisë “me qëllim të realizimit të programit të rregullt”.
Federata e Tenisit, në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë, thotë se gjatë vitit 2026 ka nënshkruar dy marrëveshje me Ministrinë e Sportit, në bazë të të cilave janë siguruar fondet për funksionimin e saj të rregullt.
“Shumat e këtyre dy marrëveshjeve përbëjnë shumën totale që Federata e Tenisit të Serbisë ka marrë edhe në vitet e mëparshme dhe që është miratuar edhe për vitin 2026 nga Komiteti Olimpik i Serbisë, e më pas nga Ministria e Sportit, kur programet e rregullta për vitin 2026 u dorëzuan qysh në prill të vitit 2025”, theksohet në përgjigje.
Federata shton se asnjëherë nuk ka marrë vërejtje për shpenzimin e mjeteve buxhetore dhe se financat e saj kontrollohen nga një auditor i pavarur.
Në vend të shërbimit ushtarak, ambulanca mobile
Rezerva buxhetore gjatë vitit 2026 jo vetëm që u zbraz, por edhe u mbush.
Në mesin e majit 2026, dhjetëra përdorues të buxhetit – nga Presidenca e Serbisë, ministritë, gjykatat e deri te qarqet administrative – transferuan mjete në rezervën rrjedhëse buxhetore.
Në total u transferuan 148 milionë euro, duke ia vënë këto fonde në dispozicion Qeverisë për t’i shpërndarë më tej me vendime të saj.
Vendimet për shpenzimin e rezervës buxhetore tregojnë gjithashtu se pushteti në Serbi hoqi dorë nga disa plane të parashikuara për këtë vit.
Kështu, një pjesë e mjeteve nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, të destinuara për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, u ridestinuan për ambulanca mobile, gara sportive dhe blerjen e veprave të artit.
Sipas njoftimeve të fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shërbimi i detyrueshëm ushtarak, me kohëzgjatje prej 75 ditësh, do të fillojë në mars të vitit 2027.


























