Derisa në Kosovë po vazhdojnë gërmimet në kërkim të mbetjeve mortore të shqiptarëve të zhdukur me dhunë gjatë luftës, në Rashkë të Serbisë të shtunën u zbulua një monument kushtuar pjesëtarëve të Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave të vrarë gjatë luftës së vitit 1999.
Brigada e 37-të është një nga njësitë ushtarake që përmendet në dokumentacionin e organizatave për të drejtat e njeriut dhe në kërkesat institucionale të Kosovës për zbardhjen e krimeve të luftës dhe fatit të personave të zhdukur.
Në ceremoninë e mbajtur në Rashkë morën pjesë ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, dhe ish-komandanti i Brigadës së 37-të, Ljubisha Dikoviq, shkruan “Kossev”.
Ata e përshkruan brigadën si një njësi heroike, përkundër faktit që e njëjta prej vitesh ndodhet në qendër të kërkesave të Kosovës për hapjen e arkivave ushtarake.
Institucionet e Kosovës vlerësojnë se dokumentacioni i saj mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe në hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës.
Në korrik të vitit 2024, kryeministri Albin Kurti njoftoi se Kosova i kishte dorëzuar Serbisë një kërkesë zyrtare për hapjen e arkivës së Brigadës së 37-të, në zbatim të Deklaratës për Personat e Zhdukur të dakorduar në Bruksel.
Kërkesa u përsërit edhe këtë vit në kuadër të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur.
Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi ka theksuar prej vitesh rëndësinë e arkivës së kësaj brigade. Në dosjen “Rudnica”, organizata thotë se viktimat e gjetura në varrezën masive në Rudnicë ishin civilë shqiptarë të vrarë në pranverën e vitit 1999 në Drenicë, zonë që atëherë ishte nën përgjegjësinë e Brigadës së 37-të të Motorizuar.
Përndryshe, në Kosovë janë dokumentuar emrat e mbi 13 mijë viktimave të luftës së fundit.


























