Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të vazhdojë sot, e shtunë, 8 gusht, në orën 11:00, me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Vazhdimi i seancës është caktuar pas dështimit të përpjekjes së partive opozitare që ajo të mbahej mbrëmë, para përfundimit të afatit prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit.
Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së u mblodhën mbrëmë në Kuvend, pasi kishin kërkuar që seanca të vazhdonte në orën 22:30, por ajo nuk u mbajt. Ata thanë se dyert e sallës ishin të mbyllura.
Në seancën konstituive, e cila kishte nisur të enjten, deputetët bënë betimin, ndërsa më pas punimet u ndërprenë pasi nuk u paraqit emri i kandidatit për kryetar të Kuvendit.
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, kishte kërkuar kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike me partitë.
Opozita ka kundërshtuar shtyrjen e procesit përtej afatit, duke e cilësuar atë si mosrespektim të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka rikujtuar se edhe në vitin 2025 Kuvendi nuk ishte konstituuar brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore.
Vazhdimi i seancës është caktuar për sot në orën 11:00. Përfaqësuesit e opozitës ende nuk kanë bërë të ditur nëse do të marrin pjesë.


























