Marrëveshja për Ngushticën e Hormuzit, e ndërmjetësuar nga Omani, mbetet ende e pasigurt, pasi Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur kushte që pala tjetër duket se nuk është e gatshme t’i pranojë.
Sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Zolqadr, deklaroi se Ngushtica e Hormuzit nuk do të rihapet derisa Shtetet e Bashkuara të ndryshojnë qëndrimin e tyre.
Teherani ka paraqitur disa kushte, përfshirë ndalimin e luftës edhe ndaj aleatëve të Iranit, heqjen e bllokadës detare, tërheqjen e trupave, kompensimin e dëmeve, heqjen e sanksioneve dhe zhbllokimin e aseteve iraniane të ngrira.
Nga ana tjetër, nënpresidenti amerikan JD Vance tha se Uashingtoni ka bërë përparim në negociatat me Iranin, duke lënë të hapur mundësinë për një marrëveshje.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, deklaroi se është koha për të dalë nga situata “as luftë, as paqe”, duke e konsideruar momentin aktual si një mundësi të mirë për arritjen e një marrëveshjeje.
Ndërkohë, sipas raportimeve të “Washington Post”, Pentagoni u ka kërkuar kompanive amerikane të industrisë së mbrojtjes që të përshpejtojnë prodhimin dhe dorëzimin e armëve.
Zhvillimet vijnë në një kohë kur tensionet mes SHBA-së dhe Iranit mbeten të larta dhe ndërsa përpjekjet diplomatike për një marrëveshje mbi Ngushticën strategjike të Hormuzit vazhdojnë.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë dhe çdo pengesë në qarkullimin detar në këtë zonë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për tregjet globale të naftës dhe gazit.























