Një 35-vjeçare ka humbur jetën pasi dyshohet se ka rënë nga ballkoni i shtëpisë në një lartësi rreth 6 metra.
Viktima fillimisht është dërguar në emergjencë por ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Lajmin e ka konfirmuar për RTK-në zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Me datën 01.10.2024 , pak pas orës 11:00 policia ka marrë njoftimin se në fshatin Krushicë e Epërme të Suharekës, një femër rreth 35 vjeçare ( D. K.) në rrethana të panjohura për momentin, ishte rrëzuar nga shkallet dhe ishte pa ndjenja. Viktima ështe dërguar emergjencë, në ora 11:50 policia është njoftuar se viktima kishte ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Prizrenit”, ka thënë ai.
Bytyqi ka theksuar se janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe se me urdhër të prokurorit është inicuar rast “Hetim i vdekjes”.
“Njësitet përgjegjëse policore kanë dalë në vendngjarje dhe janë marrë me rastin. Në lidhje me këtë rast, në koordinim me prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore. Është bërë shikimi i vendit të ngjarjes dhe dyshohet se viktima ka rënë nga ballkoni i shtëpisë në lartësi rreth 6 metra”, ka deklaruar Bytyqi.
Trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.