Anëtari i Këshillit Drejtues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dhe nënkryetari i komunës së Prishtinës, Florian Dushi, ka rikujtuar dorëheqjen e ish-presidentit Fatmir Sejdiu, duke e cilësuar atë si një shembull të kulturës shtetërore dhe respektit ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës.
Përmes një reagimi publik, Dushi thekson se Sejdiu kishte dhënë dorëheqje nga posti i Presidentit të Republikës së Kosovës, duke respektuar, sipas tij, një “opinion/mendim” të Gjykatës Kushtetuese, të cilin ai e përshkruan si të “kurdisur”.
Sipas Dushit, ky veprim përfaqëson kulturën shtetërore që LDK-ja ka kultivuar ndër vite dhe modelin e shtetarëve që kjo parti i ka ofruar Kosovës.
“Respekt për shtetin dhe institucionet e tij, edhe atëherë kur vendimet e tyre mund të konsiderohen të padrejta”, ka shkruar Dushi, duke e paraqitur dorëheqjen e Sejdiut si dëshmi të përgjegjësisë institucionale dhe respektit për rendin kushtetues.

























