Deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, në të cilën ai sulmoi serbët që ndihmojnë në zbulimin e varrezave të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, ka nxitur reagime të ashpra në rajon.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Miodrag Vlahoviq, e dënoi gjuhën e Daçiqit, duke e cilësuar atë si nxitëse të urrejtjes dhe justifikuese të krimeve të luftës.
“Nuk ka ndonjë politikan të gjallë, serbo-malazez, serb me origjinë malazeze apo serb/malazez në Mal të Zi, që ta dënojë publikisht këtë gjuhë urrejtjeje të neveritshme, këtë thirrje për linçim dhe këtë justifikim të krimeve më të tmerrshme?”, shkroi Vlahoviq në reagimin e tij publik në X.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, reagoi ndaj deklaratave të Daçiqit, duke akuzuar Serbinë se vazhdon të pengojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
“Ky shtet, në njërën anë, refuzon të japë informacione për personat e zhdukur, të marrë me dhunë, ndërsa, në anën tjetër, kërcënon dhe burgos qytetarët e saj që bashkëpunojnë për gjetjen e këtyre varreve. Po ashtu, ajo glorifikon përmes memorialeve brigada si ajo 37, pjesëtarët e së cilës janë përgjegjës për shumë masakra në Kosovë”, deklaroi Sveçla.
Reagimet erdhën pasi Daçiq, në një intervistë për një televizion serb, kritikoi ashpër serbët që, sipas tij, u tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve vendndodhjet e varrezave masive.
“Çfarë do të bëjmë me serbët që u tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve ku janë varrosur shqiptarët nëpër Serbi? Flasin lloj-lloj budallallëqesh”, kishte deklaruar Daçiq.
Deklaratat e tij janë kritikuar si përpjekje për të frikësuar dëshmitarët dhe për të dekurajuar bashkëpunimin në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, një prej çështjeve më të ndjeshme dhe ende të pazgjidhura pas luftërave në ish-Jugosllavi.


























