Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar si “lajm shumë të keq” vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të mos ndërprerë kontratat e punës së gjyqtarëve serbë.
Haxhiu tha se KGJK-ja nuk ka vepruar njëjtë sikurse Këshilli Prokurorial i Kosovës , i cili kishte ndërmarrë masa në këtë drejtim.
Ajo bëri të ditur se i ka dërguar një shkresë zyrtare kryesuesit të KGJK-së, duke e njoftuar për një raport lidhur me integritetin e gjyqtarëve serbë, si dhe e ka ftuar për takim, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.
“Lajm shumë i keq që atë ditë KGJK-ja nuk veproi njëjtë sikurse KPK-ja dhe në linjë me përgjegjësitë ligjore. I kam dërguar shkresë kryesuesit të KGJK-së dhe e kam njoftuar për raportin që kam lidhur me integritetin e gjyqtarëve serbë. Nuk më është përgjigjur në atë letër. E kam ftuar edhe në takim dhe pres që të ketë reagim”, deklaroi Haxhiu.
Ajo kërkoi që KGJK-ja të veprojë sa më shpejt në përputhje me përgjegjësitë ligjore që ka.


























