Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lehona Lushaku, ka thënë se synimi i partisë së saj është që procesi i konstituimit të Kuvendit të përfundojë më 6 gusht.
Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, Lushaku deklaroi se Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe se nuk duhet të ketë vonesa në këtë proces.
“Seanca konstituive duhet të mbahet më 6 gusht, me qëllim që Kosova të ketë institucione funksionale dhe të rikthehet funksionaliteti i shtetit. Ne synojmë që Kuvendi të konstituohet në datën e thirrjes së seancës, pa asnjë vonesë”, tha Lushaku.
Ajo bëri të ditur se deri tani LDK-ja nuk ka marrë ftesë nga Lëvizja Vetëvendosje për vazhdimin e takimeve.
Lushaku theksoi se çdo partneritet politik duhet të ndërtohet mbi bazën e parimeve dhe vlerave të përbashkëta.
“Çdo partneritet mes partive politike ndërtohet mbi bazën e parimeve bazë. Ne jemi një parti e orientuar qartësisht kah Perëndimi dhe kemi vlerat tona, të cilat duam t’i reflektojmë në çdo marrëveshje dhe në çdo krijim partneriteti”, deklaroi ajo.


























