Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar lidhur me projektin e zgjerimit të ngrohjes qendrore në Prishtinë, duke shprehur shqetësim për rrezikimin e tij si pasojë e, sipas tij, keqmenaxhimit të ndërmarrjes “Termokos” nga Komuna e Prishtinës.
Murati ka thënë se Qeverisë i është dashur të angazhohet për sigurimin e financimit për projektin, vlera e të cilit arrin në 80 milionë euro, ndërsa përfitues të tij janë banorët e Prishtinës.
“Si qeveri na është dashur të bëjmë shumë mund që të sigurojmë financimin për këtë projekt 80 milionë euro, ku përfitues janë banorët e Prishtinës”, ka shkruar Murati.
Sipas tij, projekti ka marrë mbështetje të rëndësishme nga Qeveria e Gjermanisë dhe Bashkimi Evropian, ndërsa pjesa më e madhe e financimit është siguruar në formë granti.
“Falë mbështetjes së qeverisë Gjermane dhe Bashkimit Evropian, shumica e financimit është grant”, ka deklaruar ai.
Murati ka kritikuar Komunën e Prishtinës për mënyrën e menaxhimit të ndërmarrjes “Termokos”, duke e cilësuar të papranueshme që, siç pretendon ai, për shkak të kësaj situate të vihet në rrezik realizimi i projektit.
“Është e papranueshme që për shkak të keqmenaxhimit që i është bërë ndërmarrjes Termokos nga Komuna e Prishtinës, ky projekt tash të rrezikohet”, ka shkruar Murati.
Projekti synon përmirësimin dhe zgjerimin e sistemit të ngrohjes qendrore në Prishtinë, me përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët që furnizohen me ngrohje përmes “Termokosit”.


























