Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka deklaruar se deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, mund të zgjidhet kryetare e Kuvendit, nëse PDK-ja pranon ofertën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të mos e bllokuar procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.
Reagimi i tij erdhi pas deklaratës së Çitakut në sallën e Kuvendit, ku ajo kërkoi thirrjen e seancës konstituive, duke theksuar se institucioni nuk duhet të mbetet i bllokuar.
“Vlora Çitaku mund të bëhet kryetare e Kuvendit nëse Bedri Hamza e pranon ofertën e Albin Kurtit. PDK e fiton kryeparlamentarin vetëm dhe vetëm që të mos e bllokojë zgjedhjen e presidentit të ri”, ka shkruar Abrashi në Facebook.
Ditë më parë, Kurti i kishte dërguar një ftesë kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, ku kishte theksuar se konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e presidentit janë procese institucionale që kërkojnë bashkëpunimin e të gjitha forcave politike.
Sipas tij, kontributi i PDK-së nuk duhet të kufizohet vetëm në propozimin e kandidatit për nënkryetar të Kuvendit, por edhe në pjesëmarrjen në zgjedhjen e presidentit, me synimin për të shmangur një tjetër proces zgjedhor.


























